Paris, 19 nëntor – “Jelek verdhët” francez sot sërish u mblodhën që t’i vazhdojnë protestat kundër rritjes së çmimeve të karburanteve. Demonstrantët sërish e vështirësuan komunikacionin, ndërsa bllokuan edhe rezervare të naftës dhe benzinës.
Bllokadat e rrugëve vazhdojnë nga protestat masive të shtunën, në të cilat humbi jetën një person, ndërsa qindra të tjerë ishin lënduar. Përfaqësuesi zyrtar i sigurisë sot deklaroi se natën e kaluar janë arrestuar rreth 30 persona, derisa policia është munduar t’i dëbojë demonstrantët.
Përfaqësuesi i demonstrantëve Benzhamen Koshi për radion Er-Em-Se deklaroi se shoferët sot kanë bllokuar rreth 10 rezervare të naftës dhe kërkojnë zvogëlim të çmimeve të karburanteve, që sipas tij ndikojnë në mënyrë disproporcionale mbi klasën punëtore.
Të shtunën pothuajse 290.000 njerëz protestuan në 2.034 vende. Protesta kishte edhe dje në 150 vende, kumtoi ministri i Punëve të Brendshme Kristof Kastaner.
Protestat e pasqyrojnë zhgënjimin çdoherë e më të madh nga presidenti i Francës Emanuel Makron, Qeveria e të cilit e përkrahë shtrenjtimin e karburanteve, si pjesë e përpjekjeve për mjedis jetësor më të pastër.