Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot ka nënshkruar Memorandum për mirëkuptim me Vestminster fondacionin për demokraci dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Komonueltin e Britanisë, me çka vazhdon bashkëpunimi me këtë fondacion britanik.
“Nënshkrimi i këtij Memorandumi është edhe një konfirmim i angazhimit të shprehur qartë për rritjen e dinamikës në zhvillimin e mëtutjeshëm të demokracisë, sundimin e së drejtës dhe mbi të gjitha, përforcimin e funksionit, rolit por edhe përgjegjësisë së Kuvendit si shtëpi ligjvënëse përbërja e të cilës është e zgjedhur drejtpërdrejt prej qytetarëve”, deklaroi pas nënshkrimit kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi.
Partneriteti me Vestminster Fondacionin për Demokraci është në drejtim të realizimit të programit “Përkrahje e reformave parlamentare në Maqedoni,” ndërsa programi do të financohet nga Ambasada britanike në Shkup dhe do të zgjasë më së paku deri më 31 mars 2018.
Zbatimin e këtij programi, vazhdoi Xhaferi, do e përcjellë Këshilli Drejtues në përbërje të kryetarit të Kuvendit, sekretarit të përgjithshsëm të Kuvendit dhe përfaqësues nga Vestminster Fondacioni për Demokraci dhe Ambasada britanike, me ç’rast potencohet ndihma jo vetëm për deputetët, por edhe ndihma e shërbimit që tu përgjigjet më lehtë sfidave me të cilat ballafaqohet në punën e përditshme, veçanërisht në sferën e planifikimit strategjik, mbikëqyrjes financiare, buxhetimit por edhe të hapurit dhe transparencës në punën e Kuvendit si institucion.
Ambasadori britanik Çarls Garet tha se dita e nënshkrimit të memorandumit nuk mund të jetë më e mirë, duke marrë parasysh se sot shënohet Dita e Demokracisë.
Demokracia e Maqedonisë është vënë në test në vitin 2017, tha Garet, por në Parlament përmes shumë ngjarjeve dhe ngjarjeve lokale të cilat vijojnë, jepet mundësi që të dilet nga ky vit si më të fuqishëm.
Garet paralajmëroi se gjatë javës së ardhshme për vizitë në Maqedoni do të qëndrojnë deputetë nga Dhoma e Epërme e Parlamentit britanik.
Demokracia duhet të ndërtohet çdo ditë, tha drejtori ekzekutiv i Vestminster fondacionit Entoni Smith, i cili së bashku me Xhaferin dhe ambasadorin Garet e nënshkruan Memorandumin për mirëkuptim.
Vestminster fondacioni këtë vit shënon 25 vite nga themelimi, për çka në Londër u organizua konferencë e madhe, ku fjalim mbajti ministri i punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov.