Pekin, 2 qershor – Ministri kinez i Mbrojtjes, Vej Fenge, deklaroi sot se lufta me SHBA-në do të ishte një katastrofë për tërë botën, si dhe paralajmëroi Uashingtonin të mos ndërhyjë në kontestet e sigurisë në mes të Tajvanit dhe Detit jugor të Kinës.
Kina ishte zemëruar nga veprimet e fundit të administratës së presidentit të SHBA-së, Donald Tramp, për rritjen e mbështetjes ndaj Tajvanit demokratik, duke përfshirë lundrimin e marinës së SHBA-së përmes ngushticës së Tajvanit që ndan ishullin nga Kina, përcjellë KOHA.
Duke diskutuar në Samitin e mbrojtjes së Azisë, ministri Vej tha se Kina “do të luftojë deri në fund nëse dikush tenton të ndërhyjë në marrëdhëniet me Tajvanin”, të cilën Bejingu e konsideron territor të shenjtë që mund ta marrë edhe me forcë nëse detyrohet.
“Kina nuk do të sulmojë derisa të sulmohemi” tha ai, duke nënvizuar se do të kishte pasoja të mëdha në konfliktin e mundshëm me SHBA-në.
SHBA-ja, si shumë shtete tjera, nuk ka marrëdhënie formale me Tajvanin, por është mbështetësja më e madhe dhe burimi më i madh i armëve.
Marrëdhëniet mes Kinës dhe SHBA-së janë përkeqësuar pas luftës së gjatë tregtare, mbështetjes së SHBA-së ndaj Tajvanit, qëndrimit të ushtrisë së Kinës në Detin jugor, ku SHBA-ja po ashtu kryen patrullimin. (koha.mk)