Granit Xhaka thuajse ka kopjuar vëllain e tij, Taulantin, gjatë ndeshjes së mbrëmshme të Zvicrës ndaj Letonisë, duke reaguar në momentin kur është nxjerrë nga fusha e lojës nga trajneri. Në minutat e fundit të sfidës, trajneri Vladimir Petkoviç vendosi të zëvendësonte mesfushorin pasi rezultati ishet 3-0 për helvetët, por mes të dyve kishte një bashkëbisedim mjaft të ndezur para bankinës së skuadrës kur Xhaka i shtrëngoi atij dorën. “Asnjë lojtari nuk i pëlqen të dalë nga fusha, as mua. Kishte pak emocione në atë moment, por tani jam në rregull. Ishte paksa e vështirë të qetësohesha në atë moment”, tha Xhaka duke iu referuar bisedës që kishte bërë me trajnerin. “Tani jemi miq përsëri!”, tha ai duke qeshur. Këtu, me sa duket ai ndryshon nga vëllai i madh, Taulanti, i cili “shkëndijën” që filloi me zëvendësimin në ndeshjen kundër Zvicrës, e ktheu me kalimin e kohës në një debat të hapur me ish-trajnerin De Biazi, që kulmoi me largimin e tij nga përfaqësuesja shqiptare.