Varre “luksi” të nxjerra në shitje për minimumi 192 mijë euro. Është kjo ajo që ndodh në Venecia të Italisë, në ishullin e San Michele. Ka kohë deri në 31 janar për kë dëshiron të blejë një prej 17 varreve dhe çmimi mund të arrijë deri në 335 mijë euro. Fusha e shenjtë e San Michele, është një ishull i lagunës veneciane që ndodhet mes Venecia dhe Murano, e njohur për vlerën e madhe historike të personave që janë varrosur. Disa prej tyre prej pak kohësh kanë kaluar në posedim të komunës, e cila ka vendosur që t’i rinxjerrë në treg. Kryebashkiaku Luigi Brugnaro, synon që të rikuperojë fonde për të ristrukturuar varrezat, por edhe për t’i dhënë vlerë pasurive artistike të qytetit. 17 varret në shitje, dikur u përkisnin familjeve fisnike, të cilët preheshin pranë njerëzve të rangut të lartë, si poeti Ezra Pound dhe kompozitori Igor Stravinskij. Përveç blerjes së varreve, personat që do i marrin në pronësi, duhet që ti restaurojnë me shpenzimet e tyre. Fituesit e ankandit që do të mbahet më 5 mars, duhet të marrin përsipër të gjitha aktivitetet e nevojshme për restaurimin, duke prezantuar një projekt brenda tre muajve.