Biznesi vlerëson se parashikimet për mbushjen e arkës së shtetit janë tepër ambicioze, për të mos thënë joreale. Vlerësohet se në një situatë vështirë e krizës ekonomike të shkaktuar nga kriza shëndetësore, është mjaft vështirë të parashikohen se si do të harxhohen të hollat në vitin e ardhshëm dhe prej nga do të sigurohen mjetet
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 14 nëntor – Propozim buxheti për vitin 2021 do të ketë vlerën prej 4 miliardë e 30 milionë euro. Minusi apo deficiti buxhetor pritet të ketë 4.9 për qind apo 567 milionë euro, ndërsa për investimet kapitale janë parashikuar 374 milion euro. Pritet që tremujorët në vitin 2021 të tregojnë se sa do të realizohen të hyrat dhe të dalat në buxhet, çka do të shkurtohet sërish me rebalancet e vitit të ardhshëm dhe sa do të realizohen projektet e ndryshme infrastrukturore në shkallë vendi.
Dallimi midis të ardhurave dhe shpenzimeve do të mbulohet me huazimin tek bankat vendore prej 275 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër do të huazohet jashtë shtetit. Në ndërkohë, biznesi vlerëson se parashikimet për mbushjen e arkës së shtetit janë tepër ambicioze, për të mos thënë joreale. Vlerësohet se në një situatë vështirë e krizës ekonomike të shkaktuar nga kriza shëndetësore, është mjaft vështirë të parashikohen se si do të harxhohen të hollat në vitin e ardhshëm dhe prej nga do të sigurohen mjetet. Sipas drejtorit të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Drilon Isenit, aktualisht kemi një stagnim ekonomik në shtet, shënohet ulje edhe e eksportit edhe e importit, dhe kemi ngadalësim të madh të punës së subjekteve ekonomike. Ai shton më tej se në buxhet që arrin gati 4 miliardë euro është vështirë të realizohet.
“Në parim një buxhet i tillë është tepër ambicioz dhe është vështirë të realizohen të ardhurat e planifikuara prej 3.45 miliardë euro. Të mos harrojmë se viti i ardhshëm do të jetë me shumë të panjohura në aspektin ekonomik dhe financiar. Shtrohet çështja se çka do të ndodhë me ekonominë në rast se në tremujorin e parë sërish kemi vazhdim të pandemisë dhe cilat do të jenë efektet negative që do të kemi në ekonomi. Në rast se nuk kemi zbutje të situatës me Covid-19 do të kemi ulje të të ardhurave në arkën e shtetit, do të kemi edhe institucione të paralizuara ku vështirë se do të mund të realizohen edhe investimet e parashikuara kapitale”, shton më tej Iseni.
Njëherësh në vitin e ardhshëm do të kemi edhe zgjedhje lokale që çdo herë ngadalësojnë ekonominë, ndërsa në këto kushte nëse kemi vështirësi me të hyrat në buxhet , mund të presim edhe rritjen e borxhit publik për të mbuluar shpenzimet e ndryshme të shtetit thekson Iseni.
“Edhe rritja e të ardhurave në vitin 2021 në anën e të hyrave në buxhet prej më shumë se tetë për qind në raport me vitin 2020 është vështirë e arritshme në kushte të një krizë të thellë ekonomike”, shton Iseni.
Nga ana tjetër Lidhja e Odave Ekonomike vlerëson se shteti duhet të realizojë mjetet e pakos së katërt ekonomike me qëllim që të mbijetojnë bizneset sidomos në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm. Viti i ardhshëm duhet të shënojë një vit të përballjes me ekonominë informale dhe korrupsionin, dhe eliminimit të atyre që punojnë në mënyrë jo të regjistruar duke fituar me miliona duke mos dhënë asnjë denarë në buxhetin e shtetit thotë Daniella Arsovska, kryetare e Lidhjes së Odave ekonomike të Maqedonisë. “Ringjallja e ekonomisë nevojitet të jetë një nga prioritet e buxhetit të ardhshëm. Kërkojmë që mjetet për biznesin në pjesën më të madhe të ndahen për stimulimin e pjesës produktive të ekonomisë , apo për ruajtjen e vendeve të punës.” thekson Arsovska. Sipas saj, është e pritshme që shëndetësisë dhe luftës kundër pandemisë ti kushtohet një vëmendje e veçantë për shkak se ajo kërcënon jo vetëm jetën e njerëzve , por edhe biznesin dhe ekonominë.
Kryeministri Zoran Zaev gjatë prezentimit të buxhetit për vitin 2021 theksoi se do të ketë edhe burime shtesë në arkën e shtetit siç janë nismat për partneritetin privat-publik për hidrocentralin Çebren, investimet në elektranat për prodhimin e energjisë elektrike me erë prej 30 megavat në Bogdanci , Gjevgjeli dhe Shën Nikollë si dhe realizimin e elektranës me diell në Oslome, me 100 megavat. “Një nga investimet e sigurta do të jetë edhe TermoCentrali i Negotinës përmes partneritetit privat publik që do të transformohet në central elektrik me hidrogjen. Do të ketë projekte investuese qeveritare me pjesëmarrje aksionarësh edhe në stacionin e gazit për prodhimin e rrymës si dhe në terminalin për gazin e lëngshëm në Aleksandropullos të Greqisë”, theksoi më tej Zaev. Ai pret edhe investime në ski qendrën e Kodrës së Diellit që do të shkojë në shitje apo me koncesion si dhe në objektet turistike në Strugë në pronësi të Elektranave të Maqedonisë. Do të shqyrtohen për privatizim edhe potencialet e një pjesë të shoqatave aksionare në pronësi të shtetit si Posta e Maqedonisë, një pjesë e hekurudhave , fabrika EuroKompozit, kombinati I duhanit në Prilep, etj. Rezultate dhe prurje të caktuara financiare priten edhe nga shitja e tokës bujqësore që do të mbetet në funksion të bujqësisë, uljen për 30 për qind të ekonomisë informale etj. (koha.mk)