“Realisht kemi konstatuar ngecje në realizimin e aktiviteteve ndërtimore në Bit Pazar. Për këtë çështje i kemi njoftuar edhe drejtuesit e Qytetit të Shkupit dhe ata të Komunës së Çairit. Ua kemi bërë me dije se prolongimi eventuale i rikonstruimit me automatizëm do të ngjallë revoltën e tregtarëve…”, tha kryetari i Shoqatës së tregtarëve, Ekrem Dolek
Omer XHAFERI
Shkup, 22 maj – Mbulimi i tregut të Bit Pazarit dhe rikonstrumi i tij pritet ti jep fund kaosit mesjetar në pjesën veriore të Shkupit. Punimet e filluara muaj më parë, siç njoftojnë institucionet komunale, paraqesin fazën e parë të punimeve për ndërtimin nga e para të tregut më të madh në vend, shkruan gazeta KOHA. Realizimi i këtij projekti i mbështetur nga shoqëria aksionare “Skopski Pazar”, në tërësi sipas planit përfundimtar, duhet të realizohet në katër faza, gjegjësisht për momentin punimet janë duke u zhvilluar në rajonin 8 dhe 7.
Kryetari i shoqatës së tregtarëve, Ekrem Dolek, për gazetën KOHA thotë se me punimet aktuale në Bit Pazar zhvillohen në drejtim të instalimit të infrastrukturës nën tokësore (gypa të ujit, kanalizimi, kabllo të rrymës e kështu me radhë). Ai, mes tjerash tregon se afati kohor i rikonstruimit të tregut të Bit Pazarit pritet të zgjasë 14 muaj, respektivisht deri në prill të 2019. Pavarësisht se punimet për Bit Pazarin kanë filluar në shkurt të këtij viti, Dolek shprehet i brengosur për ecurinë e ndërtimeve.
“Realisht kemi konstatuar ngecje në realizimin e aktiviteteve ndërtimore në Bit Pazar. Për këtë çështje i kemi njoftuar edhe drejtuesit e Qytetit të Shkupit dhe ata të Komunës së Çairit. Ua kemi bërë me dije se prolongimi eventuale i rikonstruimit me automatizëm do të ngjallë revoltën e tregtarëve. Sidoqoftë, ne jemi të kënaqur që ky projekt përfundshmit ka filluar dhe i cili pritet ti plotësoj standardet e kërkuara nga tregtaret dhe njëkohësisht krijimin e hapësirës për parkimin e mbi 200 vetura”, tha Dolek.
Rindërtimi i Bit Pazarit ka filluar pas një dekade premtimesh. Gjatë dhjetë viteve të fundit, për këtë treg janë propozuar dhjetëra projekte dhe ide. Procedurat burokratike nga njëra anë dhe mungesa e vullnetit nga ana tjetër, kanë qenë pengesa kryesore se pse pikërisht në 2018 të fillojë rikonstruimi i tregut të gjelbër më të madh në Maqedoni. Tezgat e vjetruara dhe kushtet e këqija në të cilët kanë punuar tregtarët, me rikonstruimin e Bit Pazarit, pritet ti takojnë të kaluarës. Sfida e fundit të cilën duhet ta kalojnë tregtarët e Bit Pazarit është ajo e durimit. Dislokimi i tezgave kohë pas kohë brenda periudhës që vijon, siç thonë tregtarët, do të paraqet problem për mbajtjen e kontakteve me myshterinjtë e rregullt. Me qëllim respektimin e konkurrencës së drejtë, nga Komuna e Çairit theksojnë se gjatë periudhës së kaluar, në bashkëpunim me shumë institucione tjera, kanë kontribuar në pastrimin e tregtarëve që veprimtarinë e tyre e kanë zhvilluar në trotuare përreth Bit Pazarit.
Duke e komentuar revoltën dhe pakënaqësitë e shprehura nga një grup tregtarësh, të cilët gjatë javës së kaluar disa herë e bllokuan rrugën kryesore drejtë qendrës së Shkupit dhe anasjelltas, nga Komuna e Çairit thonë se janë tejet të interesuar që rendi dhe disiplina të mbizotëroj edhe në këtë pjesë të qytetit. Përveç punimeve të ngadalësuara që zhvillohen brenda hapësirës së Bit Pazarit, rikonstruime dhe punime janë duke u zhvilluar edhe përskaj bulevardi “K.P Misirkov”. Autoritet e Qytetit të Shkupit me kërkesë të Komunës së Çairit, duke synuar lirimin e hyrjes së Çarshisë, kanë vendosur që në afërsi të tregut të Bit Pazarit, konkretisht në vendin ku deri më tani janë shitur lule, të vendoset një taksi stacion.
Njëkohësisht, përpos 10 vendeve për taksi-vetura, përreth Bit Pazarit pritet të ndërtohet një korsi për biçikleta dhe këmbësorë, gjegjësisht hapësirë e gjelbërt. (koha.mk)