Sulmuesi i Përfaqësueses së Gjermanisë, Timo Werner ka insistuar se nuk e ka ndërmend të largohet nga skuadra e Chelseat gjatë kësaj vere.
Në një intervistë për të përditshmen “The Telegraph” të enjten, Werner ka thënë se do t’i prijë sulmit të Chelseat edhe sezonin e ardhshëm.
Ai ka pranuar se edicioni i tij i parë te skuadra nga Londra nuk ka shkuar ashtu siç ka pritur por ka premtuar se sezonin tjetër do të jetë shumë më efektiv.
“Sa i përket shënimit të golave dhe humbjes së rasteve, mund të them se ky ishte sezoni më i keq në karrierën time. Mirëpo, në fund të fundit, unë kam kontribuar te Chelsea në 27 gola. Jam sulmuesi i parë i ekipit dhe do të jem edhe sezonin tjetër, ku besoj se do të jem shumë më efikas”, është shprehur Werner 25-vjeçar.
Para fillimit të këtij edicioni, Werner u transferua te Chelsea nga Leipzigu për 64 milionë euro dhe firmosi kontratë deri në vitin 2025.
Këtë edicion, Werner ka shënuar 12 gola dhe ka bërë 15 asistime në 51 ndeshje në të gjitha garat.