Hong Kong, 1 korrik – Xhon Li është lideri i ri i Hong Kongut, në vendin e Keri Lam, pasi bëri betimin dje gjatë vizitës së presidentit kinez Si Xhinping, me rastin e festimeve të 25 vjetorit të kthimit të territorit nga Britania e Madhe në Kinë, njoftoi DPA.
Li është ish-shefi i sigurisë së qytetit dhe shihet si një mbështetës i linjës së ashpër të politikave të Pekinit, kështu që ai u zotua në fjalimin e tij inaugurues të vazhdojë integrimin e Hong Kongut me kontinentin.
Festimet nisën dje më herët me ceremoninë e ngritjes së flamurit, shtoi DPA.
Flamuri i Hong Kongut u ngrit, së bashku me flamurin kinez, në ceremoninë në portin Viktoria.
Për të dytin vit radhazi, policia e Hong Kongut marshoi në stilin kinez, në vend që të përsëriste stërvitjet britanike si më parë.
Sipas Li, autoritetet e reja do të forcojnë konkurrencën e Hong Kongut dhe do të zhvillojnë ekonominë e tij, ndërsa theksi do të vendoset në zhvillimin e provincës në drejtim të krijimit të një qendre ndërkombëtare për inovacionin dhe teknologjinë, dhe për të arritur këtë është e nevojshme të kombinojnë fuqinë e Hong Kongut dhe Kinës kontinentale.
Edhe pse Si nuk mori pjesë në ceremoninë tradicionale të ngritjes së flamurit për të shënuar këtë rast, ai mori pjesë dje në ceremoninë e betimit, menjëherë pas mbërritjes së tij në Hong Kong.