Londër, 11 prill – Për ithtarët e tij, Xhulian Asanzh është luftëtar i guximshëm për të vërtetën, por për kritikët ai thjeshtë kërkon publicitet dhe i rrezikon njerëzit duke publikuar informata të ndjeshme, shkruan BBC në tekstin me rastin e arrestimit të tij të sotëm.
Ata të cilët kanë punuar me të, e përshkruajnë si të aftë dhe njeri shumë inteligjent me aftësi të jashtëzakonshme për të “thyer” shifra kompjuterike, njofton KOHA.
Asanzh e themeloi Uikiliksin, i cili publikonte dokumente dhe fotografi të besueshme prej vitit 2006, ndërsa në vitin 2010 u gjet në ballinat e mbarë botës, kur në prill publikoi xhirim në të cilin ushtarët amerikanë vranë 18 civilë nga helikopteri në Irak.
Ai, gjithashtu, publikoi dokumente të besueshme ushtarake të SHBA-së për luftërat në Afganistan dhe Irak në korrik dhe tetor të vitit 2010.
Më vonë, vitin e njejtë, u arrestua në Britani të Madhe, pasi që Suedia lëshoi fletë arrest ndërkombëtar për arrestimin e tij për shkak të gjoja keqtrajtimit seksual.
Autoritetet suedeze kërkuan ta dëgjojnë për shkak të pohimeve se në gusht të vitit 2010 ka dhunuar një grua dhe seksualisht ka keqtrajtuar dhe detyruar një grua tjetër derisa ka qenë në Stokholm ku ka mbajtur ligjeratë. Ai deklaroi se dy raportet seksuale kanë qenë plotësisht me vullnet të lirë.
Asanzh u lirua me kaucion në dhjetor të vitit 2010, por në maj të vitit 2012 Gjykata supreme e Britanisë së Madhe vendosi se duhet të ekstradohet në Suedi.
Ai kërkoi dhe mori azil në Ambasadën e Ekuadorit në Londër.
Themeluesi i Uikiliksit çdoherë ka pohuar se nuk mund ta braktisë ambasadën sepse druan se do të ekstradohet nga Suedia në SHBA, ku mund të gjykohet për publikimin e dokumenteve të fshehta amerikane.
Pas pothuajse shtatë viteve të kaluara në Ambasadën e Ekuadorit, policia britanike e arrestoi sot dhe e largoi nga hapësirat e përfaqësisë diplomatike.
Presidenti i Ekuadorit, Lenin Moreno shkroi në Tuiter se vendi i tij e tërheqë statusin e azilantit për Asanzhin “pas shkeljeve të përsëritura të konventave ndërkombëtare dhe protokolleve afariste”.
Asanzh ka lindur në vitin 1971 në Taunsuill në shtetin australian Kuinslend, ndërkaq prindërit e tij ishin artistë të cilët udhëtonin nëpër vend. Ai u bë baba në moshën 18-vjeçare, e shkurt më pas pasoi lufta për kujdestari.
Zhvillimi i internetit i dha mundësi t’i shfrytëzojë njohuritë e tij nga matematika, edhe pse kjo ka kontribuuar edhe prë shumë probleme.
Në vitin 1995 Asanzh është akuzuar, së bashku me një mik, për dhjetëra aktivitete hakerike. Pranoi se është fajtor dhe është dënuar edhe me disa mijë dollarë australianë, duke evituar dënimin me burg vetëm nën kushtin që të mos e përsërisë veprën penale.
Në vitin 2006 e themeloi Uikiliksin me një grup bashkëmendimtarësh, pranoi mënyrë nomade të jetesës, duke e udhëhequr nga lokacione të ndryshme. Gjatë kohë mundi të qëndrojë pa ushqim dhe fokusohej në punë me shumë pak orë gjumë. (koha.mk)