Budapest, 27 nëntor – Kryeministri Zoran Zaev, i cili e kryeson delegacionin e Maqedonisë në Samitin 16+1 në Budapest, sot i filloi aktivitetet e pjesës zyrtare të agjendës të këtij Samiti të rëndësishëm të shefave të qeverive për bashkëpunim të vendeve nga Evropa Qendrore dhe Lindore me Republikën Popullore të Kinës.
Siç kumtoi shërbimi qeveritar për shtyp, Zaev pati fjalim në sesionin plenar të forumit ekonomik, tregtar dhe financiar të këtij samiti, i njohur edhe si 16+1, dhe i prezantoi pozicionet e Maqedonisë para kryetarëve të tjerë të qeverive, pjesëmarrës në samit.
Në fjalimin e tij ai nënvizoi se “jetojmë në kohë të përballur me shumë sfida dhe se kjo nga liderët kërkon fokusim dhe punë të kahëzuar drejt krijimit të mundësive për zhvillim ekonomik dhe kushte për avancim të standardit jetësor të qytetarëve”, dhe se me procesin e globalizimit këto tema u bënë jashtëzakonisht të rëndësishme.
“Dëshiroj të theksoj se Qeveria do të vazhdojë me aktivitetet të cilat kanë për qëllim ta përmirësojnë dukshëm klimën afariste, përmes vendosjes së infrastrukturës më të mirë institucionale për tërheqje të investimeve, që do të tërheqë përshpejtim të rritjes ekonomike, zhvillim të sektorit privat dhe hapje të vendeve të reja të punës”, theksoi Zaev para shefave të pranishëm të qeverive të vendeve nga Evropa Qendrore dhe Lindore dhe para përfaqësuesve më të lartë qeveritar të Kinës.
Kryeministri në paraqitjen e vet i shprehu mirënjohje Nismës së Varshavës me vlerësimin se ajo tërësisht i ka realizuar qëllimet, të cilat, mes të tjerash, siguruan që vendet nga Evropa Qendrore dhe Lindore të shndërrohen në urën e cila i ndërlidh vendet nga Evropa Perëndimore, Azia Qendrore dhe Kina. Ky potencial, theksoi Zaev, është me rëndësi të jashtëzakonshme për rajonin dhe se vendet në të duhet ta shfrytëzojnë këtë moment për projekte reale dhe konkrete të cilat do të sjellin rritje ekonomike”, shtohet në kumtesë.
“Do të donim të jemi të kyçur në disa ngjarje për promovimin e tregtisë sonë në suaza të procesit për bashkëpunim 16+1. Do të doja t’u bëj thirrje institucioneve kineze të vazhdojnë edhe më shumë ta promovojnë parimin e lehtësimeve tregtare, që duhet të rezultojë me qasje të lehtësuar të prodhimeve tona drejt tregjeve kineze dhe pjesëmarrje në panaire dhe aktivitete të tjera afariste”, porositi Zaev.
Kryeministri i informoi të pranishmit në forum se Maqedonia do të jetë organizatore e disa ngjarjeve të rëndësishme lidhur me procesin e bashkëpunimit me Kinën siç është “Kina SEEC Qendër koordinuese për bashkëpunim kulturor”.
“Qendra koordinuese për kulturë do të themelohet në janar të vitit 2018 në Ministrinë e Kulturës të Maqedonisë. Do të doja t’ju informoj se vendi ynë do të jetë organizator i Simpoziumit të pestë kinez për bashkëpunim të vendeve nga Evropa Qendrore dhe Lindore, në rang të lartë të organizatave tink tank në vitin 2018 dhe të Takimit të katërt të ministrave për bashkëpunim kulturor në vitin 2019”, paralajmëroi Zaev.
Në frymën e bashkëpunimit me Kinën, Zaev tha se bashkëpunimi, mes të tjerash, po zhvillohet në rajone siç janë shëndetësia dhe mjekësia dhe për këtë qëllim me vendim të Qeverisë, në pajtim me Ligjin për mjekësi alternative dhe komplementare ishte themeluar Qendra për mjekësi tradicionale kineze në Shtip.
“Më lejoni ta theksoj bindjen time të fuqishme se samiti i sotëm do të sigurojë bazë solide për rritje të bashkëpunimit, ndërkaq posaçërisht për përforcim të lidhjeve ekonomike në frymën e rëndësisë që e ka Kina për ekspansionin e ardhshëm të bashkëpunimit ekonomik mes vendeve nga rajoni ynë”, përfundoi kryeminsitri Zaev në Samitin e shefave të qeverive për bashkëpunim të vendeve nga Evropa Qendrore dhe Lindore me Republikën Popullore të Kinës, që po mbahet në Budapest.