Shkup, 21 qershor – Me Bullgarinë kemi nënshkruar Marrëveshje për miqësi dhe bashkëpunim, e jo për probleme dhe zënka publike. Jemi marrë vesh që momentet e përbashkëta nga e kaluara duhet të na bashkojnë, e jo të ndajnë, ka shkruar kryeministri, Zoran Zaev, në profilin e tij në rrjetin social Facebook, pas diskutimeve që u përhapën në opinionin vendor dhe atë bullgarë pas mbledhjes së fundit të komisionit të përzier për histori dhe arsim, transmeton gazeta KOHA.
“Përvojat nga Komisionet historike në Botë dhe Evropë tregojnë se bashkëpunimi kërkon kohë, punë, durim, respekt për tjetrin dhe angazhim të përbashkët. Por, para se gjithash, është e nevojshme një ide e përbashkët që të ecet përpara. Ne e dimë se ajo ide është e gjallë dhe kemi treguar se edhe për çështje më të ndjeshme mund të gjendet gjuhë e përbashkët, nëse ka vullnet dhe dëshirë. Miqësia duhet të jetë e dyanshme dhe e përbashkët”, ka porositur Zaev. (koha.mk)