Kylian Mbappé ishte objektivi i madh i Florentino Perez për të përforcuar skuadrën e tij, Real Madrid gjatë merkatos së verës. Presidenti i “Los Blancos” luftoi deri në momentin e fundit për të blerë talentin e ri francez dhe për ta bërë pjesë të ekipit galaktik. Gjithsesi, pavarësisht përpjekjeve të numrit 1 të klubit madrilen, PSZH fitoi garën dhe përvetësoi shërbimet e Mbappe, që u bë pjesë e treshes fantastike të sulmit, përkrah Nejmar dhe Kavani.
Ndërkohë që asnjëherë nuk u bënë të ditura arsyet pse Mbappe refuzoi Real Madrid për PSG, tashmë nga ish-klubi i tij, Monako, publikohen motivet e vendimit. “Unë nuk e shihja të shkonte në Paris, por dëgjova të gjitha argumentet e tij dhe u mundova ta kuptoja. Ai ka lindur në Paris, vinte nga Parisi dhe arsyetoi se sipas tij ishte shumë shpejt të largohej nga Franca”, rrëfeu Vadim Vasilyev, zëvendëspresidenti i Monako. “Është një projekt i këndshëm, më duhet ta pranoj, dhe është një klub që synon të fitojë ‘Champions League’ dhe fakti që luan me Nejmar e ka bërë atë akoma më tërheqës. Ne patëm tratativa edhe me klube të tjera, por vetëm ato me Real Madrid u bë publik, ndaj ne vendosëm që nëse kushtet e ofruara nga PSG ishin më tunduese, ose të njëjta, atëherë do ta lejonim të transferohej në kryeqytetin francez”, deklaroi zv/presidenti i Monako.