I transferuar te Borussia Dortmund për të mbushur hapësirën e lënë bosh nga Erling Haaland, Sebastian Haller është duke përjetuar një nga situatat më të vështira në jetë duke qenë se për arsye shëndetësore është detyruar të largohet ng grumbullimi me verdhezinjtë.
Ish-sulmuesi i Ajax ka njoftuar stafin mjekësor në mëngjesin e së hënës se nuk po ndihej mirë ndërsa pas një sërë analizash u zbulua edhe arsyeja. 28-vjeçari vuan nga kanceri në testikuj e në këtë formë duhet t’i nënshtrohet një kure të detajuar për të luftuar ndaj së keqes në trupin e tij.
Sakaq, lojtari ka marrë të gjithë mbështetjen e klubit gjerman që do t’i qëndrojë përkrah në këtë moment të vështirë ndërsa e pret të rikthehet i fortë në fushë teksa në një reagim klubi i Dortmund ka kërkuar të respektohet privatësia e futbollistit nga Bregu i Fildishtë dhe se sapo të ketë të reja, ato do të bëhen publike.
Ndërkohë, në një reagim për mediat foli drejtori sportiv i gjermanëve, Sebastian Kehl i cili theksoi se janë të shokuar për rezultatin e analizave. “Ishte një lajm shokues për ne dhe lojtarin. E gjithë familja e Dortmund i uron Haller një shërim të shpejtë dhe të rikthehet sa më shpejt. Do të bëjmë të pamundurën për të siguruar që të marrë trajtimin më të mirë të mundshëm”, theksoi Kehl.
Në sezonin e fundit, Haller ishte një nga sulmuesit më të spikatur të sezonit në Europë teksa me fanellën e Ajax ia doli të realizonte 47 gola (11 prej tyre në Champions League) në 66 paraqitje, ndërsa me Harkëtarët fitoi dy herë titullin kampion dhe në vitin që sapo përfundoi u shpall edhe golashënuesi më i mirë i Eredivisie.