A do të sjellin këto zgjedhje, kurdo që mbahen, një konkurrencë te re në Maqedoni, ndryshe nga ajo që jemi mësuar të shohim më parë? Apo gjithçka do të ngelet retorikë politike!
Destan JONUZI
Shkup, 19 tetor – Edhe pse ende zyrtarisht nuk është dakorduar ndonjë datë për zgjedhje të parakohshme parlamentare, partitë politike vetëm se kanë filluar fushatën parazgjedhore. LSDM-ja e Zoran Zaevit dhe VMRO-DPMNE-ja e Hristijan Mickoskit, çdo ditë nëpër tribuna të ndryshme partiake diskutojnë me qytetarët për propozimet e tyre, tubime këto që aspak nuk dallojnë nga ato të fushatës zgjedhore, të stolisura me flamuj partiak e shtetëror dhe të shoqëruara edhe me muzikë moderne e patriotike.
Ndaj këtij fenomeni nuk janë imun as partitë politike shqiptare. Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) është në fazën finale të ristrukturimit të brendshëm të partiak me prurje të emrave të rinj, në prag të kongresit partiak që pritet të mbahet kah fundi i muajit nëntor. Mirëpo ajo që vihet re gjatë përzgjedhjes së strukturave lokale të kësaj partie, ato më shumë ngjasojnë në një tubim elektoral sesa në një Kuvend dege apo nëndege. Po ashtu, edhe porositë e liderit të kësaj force politike janë të fuqishme politikisht, dhe në të shumtën e rasteve thumbojnë dhe atakojnë kundërshtarët politikë.
“Procesi i strukturimit të nëndegëve dhe degëve është në përfundim e sipër. Kongresi i nëntorit do ta përcaktojë rrugëtimin politik të BDI-së së gjeneratës së re dhe platformës qytetare dhe evropiane. Sa i përket zgjedhjeve, kur do që ato të mbahen, BDI është e gatshme të futet në garë dhe të dalë fituese. Kemi mbështetjen e qytetarëve dhe organizim strukturor”, thonë për KOHA nga BDI-ja.
Muaji nëntor do të jetë i “nxehtë” edhe për ASH-në e Ziadin Selës. Në fillim të këtij muaji pritet të mbahet Kuvendi i forumit rinor partiak, ndërsa në vijim e sipër është hartimi i programit dhe platformës elektorale të kësaj partie, të cilën lideri dhe eksponentë tjerë do ta sqarojnë para qytetarëve në të gjitha degët dhe nëndegët partiake. Në paraqitjen e tij të fundit televizive, Sela ka theksuar se pikërisht ky program dhe platformë do të jenë fillimi i ndryshimeve që do të pasojnë, dhe se po e njëjta do të jetë kryesore gjatë bisedimeve me partnerin e ardhshëm të koalicionit qeveritar.
“Jemi për ndryshime, për të sjellur diçka ndryshe, jo vetëm ndryshimin. Programi dhe platforma jonë do të jenë kryesore nëse fitojmë zgjedhjet për të hyrë në koalicion qeveritar me partitë maqedonase. Por, ky program dhe platformë të cilën unë do ta legjitimojë te shqiptarët nuk do të kishte asnjë vlerë nëse LSDM-ja ka garanci se unë nuk do të bëjë koalicion me VMRO-DPMNE-në. A kam unë të drejtë të mbajë peng interesat e gjithë shqiptarëve të Maqedonisë, edhe pse jam vrarë? Jo! Por, do të jetë i papranueshme çdo program dhe platformë që synon të bëjë një VMRO të Nikolla Gruevskit apo një LSDM të Branko Cërvenkosvkit”, ka deklaruar Sela.
Nga ana tjetër, nga Lëvizja BESA e Bilall Kasamit thonë se ata në vazhdimësi janë në terren me qytetarët dhe se aspak nuk i kanë ndalur aktivitetet e tyre, që pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale.
“Lëvizja BESA nuk ka ndalur aktivitetet e saj menjëherë pas zgjedhjeve Presidenciale. Për çdo ditë jemi në takime me strukturat e partisë, paralelisht zhvillohen aktivitetet e Forumit Rinor dhe Kryesisë Qendrore. Pavarësisht rrethanave që do krijohen ne jemi gati për çdo sfidë politike që mund të ndodhë në shtet”, thotë Elmedin Memishi, zëdhënës i Lëvizjes BESA.
Por a do të sjellin këto zgjedhje kurdo që mbahen një konkurrencë te re në Maqedoni, ndryshe nga ajo që jemi mësuar të shohim më parë? Apo gjithçka do të ngelet në retorik politike!
Seladin Xhezairi nga TV Klan Maqedoni, vlerëson se pas lajmeve të hidhura nga Luksemburgu e Brukseli, druaj se retorika parazgjedhore ka për t’u intensifikuar.
“Në të dyja kampet, maqedonas dhe shqiptarë, beteja politike, në gjykimin tim, ka për të qenë më interesante në kampin politik maqedonas, ndërsa në atë shqiptar duket se ka për të qenë më e vakët. Për shkak se opozita akoma mbetet në kërkim dhe ndërtim të kauzës, gjë që lë shumë për të dëshiruar. Prej saj nuk kërkohet që të jetë e të marrë vetëm rolin e vrojtuesit apo të regjistruesit të gabimeve të pushtetit, por të ofrojë atë që quhet alternativë për kapërcimin e problemeve. Ju kujtohen deputetët Rufi Osmani e Izet Zeqiri, profesorët e nderuar? Kronikanët nga jeta dhe puna parlamentare, mbështetur në fakte, thonë se opozita nuk ‘prodhoi’ ndonjë pasues të tyre, sikundër nuk ngjet as entuziazmi i stërforcuar se fenomeni ‘Albin Kurti’ do të shfaqet edhe këtu ndër ne! E pranuam apo jo, këtu nuk kemi një të tillë me ‘stazh dhe parim’ të kreut të VV-së”, deklaroi për KOHA, Xhezairi. Sipas tij duhet të kemi parasysh këtë që ka bërë ky koalicion në pushtet (Marrëveshjen e Prespës me Greqinë, Traktatin e Miqësisë me Bullgarinë, po edhe Ligjin për gjuhët), sado që mund të debatojmë, ato, si të tilla, imponojnë nevojën që partitë politike, në pushtet dhe opozitë, maqedonase dhe shqiptare, të dalin para elektoratit me oferta të reja, të kapshme dhe, mbi të gjitha, të bëshme për një jetë më të mirë.
Ndryshe, sipas ligjit të Përzhinës, për zgjedhje të rregullta parlamentare parashikon që, 100 ditë para zgjedhjeve, të formohet Qeveri teknike, ndërsa për zgjedhje të parakohshme, Parlamenti nuk mund të shpërbëhet nën 50 ditë. Me këtë, matematika tregon se në muajin mars-prill, pushteti ka mjaftueshëm kohë për të shpallë zgjedhje të parakohshme. (koha.mk)