Pavarësisht nga faktori kohë, pazaret politike për interesa partiake gjatë tre dekadave të fundit kanë penguar funksionimin thelbësor të çdo qeverie në të shkuarën, të tashmen por e njëjta gjë pritet të ndodh edhe në të ardhmen
Xhenur ISENI
Shkup, 16 shkurt – Këto ditë në skenën politike në Maqedoni, praktikisht qytetarët apo opinioni publik janë vendosur në plan të dytë, për shkak të preokupimit me problemet e vendosura nga Sofja, negociatat për rikonstruimin e qeverisë, me një partner të ri koalicioni Aleancën për Shqiptarët, e cila si duket për partitë në këtë proces do të ketë një “fund të lumtur”. Por në të gjithë dinamikën dhe retorikën e ndryshueshme të partive në procesin e negocimit për shumicën e re qeveritare, vihet re thuajse mospërfillje e plotë e interesit publik për interesat partiake! Si një lloj justifikimi për publikun për ngërçin e negociatave, në një situatë thuhej “përafrimi i objektivave programore” të partnerëve aktualë të qeverisë me partnerin e ri potencial. Gjithashtu, në asnjë moment nuk është përmendur “interesi i qytetarëve”. Për analistët, simptomatike në të gjithë situatën është se përveç informacioneve të ndryshme për funksionet dhe pozicionet e dakorduara dhe më pas të rinegociuara në Qeveri, nuk kishte deklarata ku ishin dakord apo dallonin në objektivat e programit.
Një pyetje legjitime e opinionit gjatë një rikonstruimit të Qeverisë, është se çfarë cilësie të re do t’u ofrojë qytetarëve një ndryshim i tillë. Domethënë sa do të zgjerohet kapaciteti i përbërjes së re të qeverisë në resoret përkatëse, sa njohuri dhe aftësi kanë burimet e reja njerëzore dhe sa do të investohen individualisht dhe të gjithë së bashku në zgjidhjen e problemeve të vjetra? Në të njëjtën kohë, a kanë ata një vizion dhe zgjidhje për sfidat e dukshme, të reja të ardhshme që shqetësojnë qytetarët, ekonominë dhe shtetin në tërësi?
Ivo Rangelloviq, analist, thotë se për zhvillimet e përgjithshme politike fajin e pjesshëm e ka populli. Sipas tij inkorporimi masiv i qytetarëve përmes punësimit në administratën publike hodhi themelet për papërgjegjshmërinë politike dhe manipulimin e shoqërisë. “Në të njëjtën kohë, lodhja dhe monotonia e shoqërisë nga status quo-ja përforcon rezervën për çdo ndryshim radikal, protestë e të ngjashme. Qeverisë së re potenciale teknikisht nuk mund t’i shtohet vlerë për shkak të periudhës operative që ka mbetur deri në zgjedhjet e rregullta. Pavarësisht nga faktori kohë, pazaret politike për interesa partiake gjatë 3 dekadave të fundit kanë penguar funksionimin thelbësor të çdo qeverie në të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen. Koalicionet bëhen për të shpërndarë resore pa ndonjë vizion të rëndësishëm apo menaxhim të cilësisë. Mbetet për të shpresuar se procesi i reformave do të kontribuojë në këto ndryshime”, ka deklaruar për KOHA, Ivo Rangelloviq, analist. (koha.mk)