Shkup, 20 dhjetor – Zëvendësministri për Punë të Jashtme Andrej Zhernovski ka marrë pjesë në Takimin e katërt të ministrave për Punë të Jashtme -Trilateral të Adriatikut, Kroaci, Shqipëri dhe Mal i Zi e cila u mbajt në Zarë të Kroacisë, transmeton gazeta KOHA.
Siç ka bërë të ditur MPJ, tema kryesore të takimit kanë qenë zgjerimi i BE-së në prag të kryesimit të Kroacisë me Këshillin e BE-së në gjysmën e parë të vitit 2020, bashkëpunimit në kuadër të NATO-s, ndërsa janë këmbyer edhe mendime për çështjet aktuale dhe sfidat në rajon.
Në margjinat e takimit, zëvendësministri Zhernovski ka realizuar takim dypalësh me nikoqirin e tij kroat, ministrin e jashtëm Gordan Gërliq- Radman ku janë konfirmuar marrëdhëniet e shkëlqyeshme miqësore të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe fuqishëm është riafirmuar edhe perspektiva evropiane e vendit tonë.
“Presim vendim për fillim të negociatave paraqasëse me Maqedoninë e Veriut në procedurën e anëtarësimit në NATO gjatë kohës së kryesimit tonë me BE-në”, ka thënë ministri kroat Radman.
Zhernovski ka thënë se Maqedonia e Veriut po piqet përmes betejës së saj.
“Ne i drejtojmë përpjekjet tona drejt të ardhmes. Presim lajme pozitive gjatë kohës së kryesimit kroat si valorizim i deri tani asaj që është bërë”, ka thënë Zhernovski.
Ai ka pasur takime bilaterale edhe me kolegët e tij nga Republika e Shqipërisë dhe Malit të Zi. Në takim ka sunduar qëndrimi se rajoni mëton të prodhojë lajme të mira nëse ka vullnet dhe qasje të sinqertë.(koha.mk)