Kur bëjmë krahasime, duhet të kemi parasysh si ka qenë dikur, e si është tash: Sepse diçka ka qenë në letër, diçka ka qenë jo krejtësisht e definuar, diçka pastaj është suprimuar viteve 80-të dhe ajo që është për t’u krahasuar, është fakti se tash, edhe në kuadër të kategorisë së “20 përqindëshit”, përdorimi i gjuhës shqipe zgjerohet dukshëm, si në shtrirjen horizontalisht ashtu edhe vertikalisht. Mosbarazimi “i plotë” me gjuhën e parë zyrtare, nuk duhet të jetë argument për ta kundërshtuar avancimin e dukshëm, pas të cilit janë rreshtuar të gjitha partitë shqiptare
Nga Daut DAUTI
Isha skeptik, por, mirë që ngjarjet më demantuan. Mendoja dhe ende mendoj se ka pasur shumë mosgjeturi në menaxhimin e ndryshimeve të kushtetutës për ta implementuar Marrëveshjen e Prespës, por gjithçka do të harrohet pas finalizimit me sukses. Nuk e thonë kot fqinjët tanë, çdo çudi për tri ditë. Edhe ata që ishin kundër, edhe ata që ishin për, edhe ata që synuan t’i bëjnë një udhë e dy punë, edhe ata që abstenuan në referendumin e vitit të kaluar, edhe ata që dolën me pak vullnet për të votuar për ndryshime…do ta harrojnë gjithë rrugën e vështirë, dhe do të duhet tash të kthehen nga e ardhmja. Nga ajo e ardhme e cila po premtohet pakashumë se me Maqedoninë Veriore disi më lehtë do të jetë si për rrugën euroatlantike, ashtu edhe për zgjidhjen e problemeve jetike.
Për opozitën u bë mirë që problemin që e kishin komplikuar kur ishin vetë në pushtet, e zgjidhi tjetërkush “me tradhti” dhe prej kësaj do të bëjnë kapital. Për LSDM-në kapitali politik është në guximin për t’u përballur (jo të ikin si oponentët e tyre) dhe për ta zgjidhur problemin dhe për të hapur ato perspektiva që i kishin fundosur paraardhësit e tyre. Për BDI-në, kuptohet, një premtim i përmbushur në kuadër të synimeve gjeostrategjike, për të mos shkarë vendi në ndonjë agjendë tjetër që është edhe në dëm të shqiptarëve. Për opozitën shqiptare, një kapital jo i vogël, që, ndonëse jo pjesë të Marrëveshjes së Prespës, imponuan disa konkretizime për t’u ikur disa konfuzioneve ose keqkuptimeve rreth shtetësisë dhe kombësisë…Ndërkohë që të gjithë bashkë, opozitarë e pushtetarë shqiptarë, në fund, me botimin ligjit për përdorimin e gjuhëve në Gazetën Zyrtare ku pas shumë hamendjeve, e çoi kryeparlamentari Talat Xhaferi(pas obstruksioneve nga ana e shefit të shtetit), të përjetojnë satisfaksionin për këtë projekt të përbashkët kombëtar.
Të shpresojmë se vërtet do të pushojnë më lojërat politike rreth këtyre dy çështjeve, të paktën midis aktorëve politikë. Mirëpo, periudha që pason do të jetë pikërisht për përplasje, pasi janë zgjedhjet presidenciale. Paradoks mbi paradokset që të harxhohet energji për një pozicion institucioni ku nuk mund të zgjidhen problemet, duke e pasur parasysh se qendra e vendosjes është në qeveri dhe parlament, e jo shefi i shtetit, të cilin shumë lehtë mund ta izolojnë. Por, subjektet politike nuk mund ta dalin prej lëkurës së tyre në përpjekjet për të dëshmuar pozicionin aktual ose për ta rikuperuar atë që kanë humbur. Në këtë kontekst VMRO-ja ka shumë hendikepe të qeverisjes së kaluar por dhe të tashme. Ikja e Gruevskit i ka shkaktuar dëm të madh imazhit të partisë që e bën domosdo inferiore karshi konkurrencës në çfarëdo zgjedhje që do të vijnë, por dhe e ka shkarkuar nga trashëgimia negative, nëse do të dinte udhëheqja e re ta menaxhojë ardhmërinë e partisë pa ish-liderin. VMRO-ja tash është si në mengene kur është në pyetje platforma politike. Atë e kanë mbajtur gjallë agjendat “kombëtare”( “të fortë ndaj Greqisë”, “pa lëshime shqiptarëve”…), por këto dy – tri vitet e fundit pikërisht aty e ka marrë goditjen më të fortë, sidomos me çështjen e dytë. Lideri i ri, Hristijan Mickovski, edhe pse i zgjedhur si trashëgimtar nga ish-lideri, detyrën më të vështirë e ka mu në korrigjimin e imazhit të partisë kundrejt shqiptarëve. Jo rastësisht, në gjithë këto përplasje të vrazhda politike, është vërejtur tendenca e zbutjes së retorikës dhe mbajtjes së relacioneve në suaza të korrektësisë me partitë shqiptare, për të mos u ndeshur në të ardhmen me situatën kur ndonëse fituese, qe detyruar të shkojë në opozitë. Ky leksion i mësuar e detyron udhëheqjen e re të kësaj partie që në zgjedhjet që do të vijnë temat e këtilla t’i lë anësh. Është koha për një hap kjelljeje ose emancipimi politik. Nuk shkon gjithë jetën me të njëjtën këngë.
AMAN MË ME KËTË GJUHË!
Politika dhe politikanët, me gjithë gabimet që mund t’i kenë, kanë një mbulesë institucionale. Qytetarët janë ata që ua delegojnë vullnetin. Por, janë edhe disa shtresa tjera, që nuk kanë legjitimitet, por janë pjesë e mendimit kritik. Janë media(gazetat, media elektronike, portalet…) ku zhvillohet një betejë paralele për t’i korrigjuar politikat zyrtare. Edhe kësaj radhe, edhe pse është shkruar edhe më parë për ligjin për përdorimin e gjuhëve, opinionet kritike nuk munguan. Këtu ka nevojë pak të ndalemi, sepse ndoshta për këtë dha një “shlagfort” aktivistja e njohur për të drejtat e njeriu, profesoresha Mirjana Najçevska. Përskaj të gjitha kontestimeve, me arsye e pa arsye(kushtetues, jo kushtetuese…), ajo çuditërisht ktheu një tezë që dukej të jetë bërë bajate. Para se të implementohet ligji, gjegjësisht, para se të shtrihet përdorimi i shqipes në nivele më të larta(qeveri, gjyqësi, administratë…)sipas saj, duhet të bëhet “numërimi”, pra, të shihet edhe një herë sa është përqindja e shqiptarëve! Çudi, nga një aktiviste që është njohur për qëndrime më konstruktive, kur kishte përkrahur arsimin sipëror në gjuhën shqipe në kohën kur disa aktivistë studentorë maqedonas ngritnin kampin e çadrave para parlamentit kundër fakultetit pedagogjik, kur Universitetin e Tetovës e kishin shpallur “fëmijë i vdekur”…Ç’ndodhi ndërkohë me këtë luftëtare për të drejtat e njeriut? U mundova të gjej ndonjë arsye te koncepti legalist që ndoshta mbron ajo. Bie fjala, të jetë kjo një kritikë qeverisë se gjithçka çdo ligj që sjell duhet ta harmonizojë me kushtetutën? Por, pikërisht këtu çalon: ligji në fjalë është sjellë në kuadër të një gjendje aktuale statistikore të pandryshuar dhe thirrja për t’u numëruar përqindjet, u ngjan qarqeve nacionaliste që kaherë kanë thënë se përqindja e shqiptarëve është fryrë. Në këtë grup nacionalistësh asnjëherë nuk ka qenë Najçevska, ç’ndodhi me të? Ka gjëra që duhet shikuar nga temperamenti i njeriut, dhe ajo a prirori ka qenë në opozitë me qeveritë, pavarësisht se kush ka qenë në pushtet. Por, ku është ajo frymë e mbrojtjes së lirisë dhe të drejtave, a nuk është më mirë një Najçevska të kërkojë ndryshim kushtetute nëse është ligji në favor të avancimit të të drejtës së një bashkësie jo të vogël etnike? Pse ka nevojë ky rirreshtim i saj i këtillë me ata që kanë shpikur sajesa se gjoja një qeveri e kaluar u ka dhënë shtetësi(përnjëherë?!) 150 mijë kosovarëve që të arrihet 20 përqindëshi? Apo Najçevska nuk e di se edhe para atij regjistrimi(pas vitit 2001), numri i shqiptarëve pat arritur 23 përqindëshin? Apo ndoshta Najçevska, u bashkohet disa qarqeve politike ose intelektuale me kredibiltet të dyshimtë (prof. Karakamisheva, Vasko Evtov, Milenko Nedelkovski…) të cilët kaherë i kanë “numëruar” shqiptarët dhe ju dalin nën 15 për qind?! Domethënë, një intelektuale që ka luftuar për të drejtat e njeriut, mëton të përligjë një situatë supozuar, si pasojë e lëvizjeve migrative, një fatkeqësi shoqërore, e cila edhe nuk dihet se në ç’mënyrë i ka ndryshuar përbërjen etnike(mund të jetë e kundërta nga ç’e supozon apo dëshiron dikush!). Është një fenomen i çuditshëm, se, edhe disa intelektualë të cilët donin rrëzimin e qeverisë së VMRO-së, tash kur kjo ka ndodhur, janë “dëshpëruar” edhe nga qeveria e Zaevit, objekt kritikash ndaj të cilit i marrin disa zgjidhje fleksibile të këtij lloji! Prandaj dhe u rreshtuan kundër marrëveshjes për ndryshimin e emrit dhe ligjit që avancon përdorimin e gjuhës shqipe, edhe pse më parë njiheshin më të moderuar!
DIKUR DHE TASH
Sa i përket vetë zgjerimit të përdorimit të gjuhës shqipe, duhet të përshëndetet pa kurrfarë rezerve dhe duhet të inkurajohen institucionet që të krijojnë parakushte për këtë. Në kohën kur qe sjellë ligji, pata përmendur disa aspekte pro ligjit, edhe pse pati edhe vërejtje se si ai nuk e barazon shqipen me maqedonishten. (Nëse do të insistohej barazimi i plotë, kushedi kur do të ndodhte, ishte një nga vërejtjet e mia…)Ka disa aspekte që duhet t’i kenë parasysh rezistuesit maqedonas dhe disa të tjera rezistuesit shqiptarë. Rezistuesve maqedonas, duhet t’u vihet në dije fakti se përdorimi zyrtar i shqipes nuk është diçka e re, as si fenomen, e as si vëllim përdorimi, sepse në ish-Jugosllavi, në nivel federativ dhe nivel të dokumenteve personale, ka qenë i garantuar. Edhe në Maqedoni. Si e drejtë kushtetuese. Por, kur bëjmë krahasime, edhe opinionistët shqiptarë duhet të dinë se ndër shembujt ilustrativë se si, që pas luftës së dytë botërore, në dëftesa është përdorur shqipja madje para maqedonishtes(si një lloj “autonomie kulturore”, siç do të thoshte publicisti Nijazi Muhamedi, një shembull i mirë për kontestuesit maqedonas), nuk shihet tërë e vërteta. Sepse diçka ka qenë në letër, diçka ka qenë jo krejtësisht e definuar, diçka pastaj është suprimuar viteve 80-të dhe ajo që është për t’u krahasuar, është fakti se tash, edhe në kuadër të kategorisë së “20 përqindëshit”, përdorimi i gjuhës shqipe zgjerohet dukshëm, si në shtrirjen horizontalisht ashtu edhe vertikalisht. Mosbarazimi “i plotë” me gjuhën e parë zyrtare, nuk duhet të jetë argument për ta kundërshtuar avancimin e dukshëm, pas të cilit janë rreshtuar të gjitha partitë shqiptare . Mirë keq, të gjitha bashkë. Të mos harrojmë gjënë kryesore, se edhe para këtij ligji, qe realizuar plotësisht e drejta e shkollimit në gjuhën amtare gjer në nivel universitar e pas universitar, aq sa kemi filluar të gjejmë behane dhe të themi se kemi universitete në gjuhën shqipe përtej nevojave tona reale!(Natyrisht, angazhimi për cilësi tash është një imperativ i kohës, që të mos e devalvojmë vetë këtë të drejtë për të cilën janë zhvilluar aq shumë beteja politike).
I përmenda këto ngase në disa shkrime kritike del se pozita e shqiptarëve kurrë nuk ka qenë më e keqe?! Si mund të nxirret një përfundim i këtillë, kur dihet se si përfundoi pa sukses i gjithë dhjetëvjeçari i parë i pluralizmit(viteve 90-të), gjithë ato beteja për gjuhë, flamur, arsim, barazi…pa asnjë avancim qenësor, kur nuk u arrit të kthehet as pozita që shqiptarët kishin pasur në Republikën Socialiste të Maqedonisë, e se si megjithatë, edhe në aspektin kushtetues-juridik, edhe në praktikë, pas 2001-shës, kemi mekanizmat e një demokracie konsensuale, pavarësisht a i përdorim përherë në praktikë. Nëse nuk shohim se sa ka ndryshuar tash, dhe se pas këtyre ndryshimeve të dy dekadave të fundit, gjithkund ka përparime në realizimin e të drejtave dhe barazisë, dhe në këtë situatë të imperativit për të arritur konsensus, u bënë dhe disa korrigjime plotësuese pas të cilave qëndrojnë partitë me legjitimitet zgjedhor, atëherë vërtet mund të kemi probleme me dioptrinë. Nuk është fjala se këto janë zgjidhjet më ideale, por, mos të harrojmë, se edhe në shtetet përreth nesh që janë shtete kombëtare shqiptare, nuk është gjithçka ideale. Për disa çështje mund të zhvillohen beteja politike për korrigjime, por diskursi defetist me tezën se asgjë nuk ka ndryshuar, mund të na japë një pasqyrë të shtrembëruar të realitetit.
Historia nuk fillon tash, ka pasur zgjidhje të mira edhe në ish-Jugosllavi dhe ato praktika janë trashëguar, ose si model janë përvetësuar edhe tash. Ndoshta kanë marrë shumë kohë, por gjërat kanë ndryshuar falë vizionit dhe platformave politike të subjekteve shqiptare, të cilat çdo njëra nga pak në kohën e vet, ka vënë ndonjë tullë në murin e të drejtave. Po të ishte arritur idealja, do të duhej që partitë shqiptare dhe partitë kombëtare në përgjithësi, të çregjistroheshin nga Regjistri Qendror dhe të funksiononin vetëm partitë me koncepte qytetare. Por, apeli që dha një intelektual shqiptar për rrezikun e qenies kombëtare, është paksa më universal se sa vetëm (një)kombëtar. Po, tash e tutje, pas hapit të madh drejt NATO-s dhe BE-së, kryesorja për çdo qeveri, jo vetëm në Maqedoni, por dhe në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi(dukuri që s’është e panjohur as për Bullgarinë, Rumaninë, Hungarinë, Kroacinë…) do të jetë krijimi i kushteve zhvillimore për mbajtjen e rinisë në vend, për ndaljen e hovit migrues që ishte rezultat normal i prapambeturisë në zhvillim dhe i të drejtës së qarkullimit të lirë në BE pas heqjes së vizave. Është e pandershme që ky problem t’i adresohej vetëm një qeverie dhe vetëm një periudhe, por gjithsesi, asnjë qeveri nuk mund të jetë pa përgjegjësi për nivelin e zhvillimit dhe mundësive për punësim në një vend. Asnjë qeveri e ardhshme, nuk do të ketë alibi tash e tutje ndonjë aspekt të brendshëm(stabiliteti, korrupsioni…) si faktor që dëbon investuesit, sepse të gjithë na kanë bindur se me hapjen e dyerve të BE-së dhe NATO-s, shumëçka do të ndryshojë. E po, të shohim pra.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)