Analizat e Ministrisë së Shoqërisë Informatike tregojnë se në administratën publike ekziston mbipunësim në nivelet më të ulëta nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër mungon kuadri i menaxherëve apo i udhëheqësve, ku për shembull ka plotësim prej vetëm 40 për qind të udhëheqësve të njësive dhe sektorëve
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 28 shtator – Mali i zi pas anëtarësimit në NATO dhe fillimit të bisedimeve për anëtarësim me Bashkimin Evropian, është shteti i parë që kryeson rajonin edhe për zvogëlimin e administratës shtetërore. Së fundmi, 1752 nëpunës kanë lëshuar punën e shtetit në mënyrë vullnetare në Mal të Zi, bëjnë të ditur nga Ministria malaziase e administratës shtetërore, shkruan gazeta KOHA. Në thirrjen për shkëputje të dyanshme dhe me marrëveshje të marrëdhënies së punës, në këtë shtet janë paraqitur 1430 të punësuar në nivel qendror dhe 322 të punësuar në nivel lokal. Të punësuarit kanë të drejtë të fitojnë kompensim material në lartësi prej 50 për qind të pagës mesatare bruto për çdo vit të përvojës së punës, ndërsa shuma e kompensimit nuk mund të jetë më e lartë se 15 paga bruto e të punësuarit.
“Qëllimi i ndërprerjes me marrëveshje të marrëdhënies së punës po realizohet në kuadër të Planit për optimizmin e administratë publike 2018-2020. Plani ka për qëllim përkrahjen për vendosjen e një administrate që në mënyrë cilësore do ti përgjigjet nevojave të qytetarëve dhe sektorit privat, si dhe lehtësimit të ngarkesës së buxheteve shtetërore dhe komunale”, thonë nga Ministria e administratës së Malit të zi. Vite me radhë, edhe në Mali të zi është vlerësuar ngjashëm me të gjitha shtetet e rajonit se administrata është e madhe dhe e shtrenjtë për të mbajtur nga tatimpaguesit, ndërsa organizatat joqeveritare kanë vlerësuar se së paku 5000 të punësuar janë tepricë në administratën që numëron 56 mijë të punësuar, apo me fjalë të tjera – pritet që së paku dhjetë për qind e administratës të ridestinohet në sektorin privat apo të pensionohen. Në Maqedoninë e Veriut, në administratën publike së bashku me të punësuarit në shoqatat aksionare janë afër 143 mijë punëtorë, tregojnë të dhënat zyrtare, ndërsa akoma nuk ka të dhëna se sa punëtorë administrative janë tepricë.
Analizat e Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës tregojnë se në administratën publike ekziston mbipunësim në nivelet më të ulëta nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër mungon kuadri i menaxherëve apo i udhëheqësve, ku për shembull – ka plotësim prej vetëm 40 për qind të udhëheqësve të njësive dhe sektorëve. Njëherësh mungojnë inxhinierë me përvojë, ekonomistë dhe juristë, ndërsa personat që janë bashkëpunëtorë të ri fitojnë paga të ulëta dhe janë të ngarkuar me detyra pune.
Pritet që teprica e të punësuarve në administratë gradualisht të zvogëlohet në të ardhmen që si proces do të fillojë në vitin 2020. Qeveria planifikon që përmes subvencioneve për pagat më të larta në sektorin privat, si dhe përmes pagesës së rikualifikimit të punësuarve me ndihma shtetërore, të racionalizojë numrin e të punësuarve në administratë. Nga Ministria e Shoqërisë Informatike thonë se po përgatitet një plan për të zgjidhur joefikasitetin dhe numrin e madh të të punësuarve në administratë. Ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Damjan Mançevski, thotë se të punësuarit në administratën publike do të fitojnë pagë më të lartë për 5 për qind, por do të duhet të jenë më efikas dhe profesionist në punën e tyre, ndërsa në nivel mujor edhe punëtori edhe punëdhënësi do të kenë evidencë për atë se çka është punuar.
“Deri në fund të vitit do të përfundojë riorganizimi i administratës ku diku do të ulet dhe diku do të rritet numri i saj, ndërsa do të ketë sipas nevojës edhe mbyllje apo bashkim të disa institucioneve. Punëtorët që nuk i kryejnë detyrat e tyre do të shpërndahen në pozita më të ulëta të punës ose do ti ofrohen sektorit privat ku pritet që ato të jenë më të motivuar për punë”, thotë Mançevski. Sipas tij, çdo institucion do të përgatisë regjistër të të punësuarve dhe do të përcaktojë tepricën e vendeve të punës. Ndryshe, qëllimi i reformave në administratë është të ulet mbi punësimi dhe të krijohet administratë më e vogël dhe më efikase. (koha.mk)