“Dibranët kanë shprehur interes për takime meqë kanë probleme të shumta, por deputetët nuk kanë ardhur asnjëherë”, tregon për gazetën KOHA, Bashkim Mashkulli
Vjollca SADIKU
Dibër, 4 shkurt – Në përputhje me normat ligjore, para disa vitesh edhe në Dibër u hap zyra e deputetëve me qëllim që deputetët e Njësisë numër gjashtë të kenë kontakte të rregullta me popullatën dibrane. Por, edhe pse mandati i tyre është duke përfunduar meqë zgjedhjet do të mbahen më 12 prill, dibranët nuk patën mundësi që në zyrë e deputetëve të takojnë asnjë deputet. Reagimi i dibranëve është i madh meqë edhe në mandatin e fundit të deputetëve ata u ballafaquan me shumë probleme si në sferën sociale, ashtu edhe në sferën ekonomike, shkruan gazeta KOHA.
Në lidhje me këtë çështje, kryetari i Këshillit të Komunës në Dibër, Bashkim Mashkulli, deklaroi se në objektin e komunës është e hapur zyra për takime me deputetët. Por, edhe ai na pohoi se deri tani këtë zyrë nuk e ka vizituar asnjë deputet. “Dibranët kanë shprehur interes për takime meqë kanë probleme të shumta, por deputetët nuk kanë ardhur asnjëherë”, tregon për gazetën KOHA, Bashkim Mashkulli. Kjo zyrë ka qenë një shpresë për dibranët, të cilët kanë halle të shumta, sidomos në sferën e punësimeve, hapjen e bizneseve pasi kanë kërkuar të dhëna konkrete nga ana e deputetëve për të zgjidhur probleme. Por, siç thotë kryetari i Këshillit komuna, në asnjë moment dhe në asnjë situatë në këtë zyrë nuk është parë asnjë deputet.
Pikërisht për këtë problem është debatuar edhe në nivele partiake. Kryetari i Këshillit, Bashkim Mashkulli thekson se partitë politike duhet ta marrin parasysh faktin se në një situatë kur Dibra nuk ka deputetin e vet, atëherë na paraqiten problemet e kësaj natyre. “Nuk ka logjikë që Dibra të mos ketë deputet. Prandaj udhëheqësit e partive politike duhet që në listat e kandidatëve për deputet të sigurojnë kandidat nga Dibra, të cilët do të jenë pjesë në Parlamentin e ardhshëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Dibra dhe rrethina e saj në mandatin e fundit të deputetëve në asnjë moment nuk patën mundësi të takojnë deputetët aktual me çka do të bisedonin rreth problemeve që kanë. Poashtu, kërkesat për takimet me deputetë kanë qenë të shumta, meqë kanë kërkuar nga ne – banorët dibran që si pushtet vendor të sigurojmë takime me deputet. Për fat të keq, zyra e deputetëve në kontinuitet mbeti pa deputet”, thonë dibranët.
Në Dibër flitet se ka patur qytetarë të cilët për shkak të mungesës të deputetëve, në zyrën e deputetëve kanë tentuar të kontaktojnë nëpërmjet telefonave dhe tua shprehin hallet me qëllim që ata të tejkalohen. Por, telefonat dhe letrat e dërguara në adresë të deputetëve kanë ngelur vetëm si tentim për komunikim, meqë dibranët nuk kanë marrë përgjigje nga ana e deputetëve. Prandaj ata shpresojnë se partitë politike, sidomos ata shqiptare do të mundësojnë që në mandatin e ri të Parlamentit të ketë deputet dibran. (koha.mk)