Gostivar, 24 dhjetor – Administratorët komunal gjatë dy javëve të ardhshme përsëri do t’iu ndihmojnë qytetarëve rreth pranimit të dokumenteve dhe do të japin këshilla për çështje komunale.
Nga komuna e Gostivarit informojnë se me rastin e ardhjes së mërgimtarëve në vendlindje prej sot përsëri do të hapet “Zyra e mërgimtarëve”. Ajo do të funksionojë në hapësirat e Qendrës për shërbime komunale në përdhesen e ndërtesës prej orës 8 deri në orën 19 çdo ditë pune deri më 7 janar.
Nëpunësit komunal përmes kësaj zyre mërgimtarëve do t’iu ndihmojnë për marrjen e informacioneve për shërbime komunale, si dhe t’i këshillojnë deri te të cilat institucione të drejtohen për zgjidhjen e kërkesave të tyre.
Nga vetëqeverisja lokale përkujtojnë se afati për dorëzimin e kërkesave për legalizim të objekteve të ndërtuara pa leje skadon më 31 dhjetor 2018 dhe apelojnë deri te qytetarët që ta shfrytëzojnë këtë mundësi të fundit ligjore.
Pushteti lokal këtë verë e hapi zyrën me qëllim që t’iu ndihmohet për nevojat e qytetarëve rreth nevojave administrative.