Luis Enrike do t’i japë lamtumirën Barcelonës në fund të këtij sezoni dhe klubi katalanas ka filluar menjëherë kërkimet për zëvendësuesin e tij. Sipas mediave spanjolle, nuk është e thjeshtë të gjesh një zëvendësues në lartësinë e duhur, pasi klubi ka një “manual” me 10 kërkesa të cilat ai duhet t’i plotësojë medoemos.
- Të njohë ambientin.Pika e parë dhe më thelbësorë është se kërkohet një trajner i cili njeh si funksionon Barcelona dhe të cilit nuk është nevoja që t’i shpjegohen parimet thelbësore të filozofisë katalanase. Nga kjo pikëpamje, nuk dëshirohet të ndiqet shembulli i gabuar i afrimit të Tata Martinos.
- Prirja ndaj akademisë.Ky është parimi bazë i klubit. Punohet shumë vite që nga kategoritë më të ulëta për të nxjerrë talente të aftë për të treguar vlerat te ekipi i parë. Lista e yjeve të dalë nga ‘La Masia’ është e gjatë: Mesi, Pyjol, Iniesta, Pike, Buskets, Çavi, Valdes, Pedro, Guardiola, Alba, Serxhi Roberto… Ky rrugëtim do të vazhdojë pavarësisht atij që do të zgjidhet si trajneri i ri.
- Eksperiencë në punë dhe njohje e mirë e La Liga.Trajektorja që ka ndjekur trajneri është shumë e rëndësishme, ndërsa ai duhet të tregojë se në të kaluarën ka pasur sukses në administrimin e grupit. Edhe njohja e kampionatit është shumë e rëndësishme, pasi kërkon vijueshmëri rezultatesh pozitive.
- Administrimi i karrierës së Mesi, Iniesta e Suarez.Trajneri i ri duhet të ketë parasysh se duhet të administrojë më mirë minutazhin e këtyre tre lojtarëve sapo ata të kalojën moshën 30-vjeçare. Duhet kujdes pasi janë të gjithë futbollistë me ego, por duhet shfrytëzuar në çdo mënyrë rendimenti i tyre maksimal pa i mbingarkuar.
- Të jetë një njeri i besueshëm klubit.Trajneri i ri duhet të respektojë vendimmarrjen e klubit edhe kur nuk është dakord me të. Një shembull mund të jetë çështja e gjyqtarëve. Nëse klubi vendos që nuk duhet folur për ta, edhe trajneri duhet të mos e bëjë një gjë të tillë.
- Të respektojë stilin dhe filozofinë e lojës.Më shumë se një skemë e thjeshtë 3-4-3 apo 4-3-3, filozofia e Barcelonës është të luajë në sulm. Ky është kusht për të cilin nuk bëhen lëshime. Trajnerët mbrojtës apo që luajnë në kundërsulm, nuk kanë vend apo të ardhme te Barcelona.
- Të ruajë profesionistët në staf.Barcelonës nuk i nevojitet një trajner që merr kudo një shpurë të gjerë ndihmësish me vete. Klubi ka të punësuar profesionistë të cilët kujdesen për aspekte të ndryshme që nga fëmijët e deri te ekipi i parë, ku përfshihen mjekë, përgatitës atletikë apo fizioterapistë të nivelit më të lartë.
- Marrëdhënie e mirë me shtypin.Drejtuesit nuk duan që çdo konferencë për shtyp të kthehet në një sherr banal me gazetarët. Ndaj kërkohet që të ruhet marrëdhënia sa më e mirë me të gjithë edhe pse në fakt Luis Enrike nuk e zbatonte gjithmonë këtë rregull.
- Të respektojë zërin e “eksperiencës” së klubit.Projekti i ri i viteve të ardhme i Barcelonës quhet “Masia 360”, e cila do të përqendrohet te mbledhja e eksperiencave të personave që kanë krijuar këtë klub ndër vite. Trajneri i ri duhet të respektojë këtë eksperiencë dhe këshillat e saj në të gjitha nivelet.
- Barcelona nuk është një klub trampolinë.Trajneri i ri nuk duhet të mendojë për një projekt të ardhshëm pas Barcelonës dhe çdo fokus i tij duhet të jetë ekskluzivisht tek e tashmja. Për sa u përket blerjeve, duket të ketë komunikim të plotë me përgjegjësit e zonës teknike dhe të pranojë vendimet e klubit.