Komisioni zgjedhor turk ka konfirmuar mbajtjen më 16 prill të referendumit për Presidentin, një ditë pasi presidenti Recep Tayyip Erdogan firmosi reformën kushtetuese të aprovuar nga Parlamenti. Këto ndryshime kushtetuese të propozuara do ta fuqizonin shumë rolin e Presidentit, madje në disa raste do t’i jepnin kompetenca që konsiderohen tej mase të larta për një vend që pretendon të jetë demokratik. Këto kompetenca më shumë i ngjajnë një sulltani, se sa një presidenti modern demokratik. BBC më poshtë ka paraqitur të radhitura disa prej kompetencave që do të gëzojë Presidenti, nëse aprovohet me anë të referendumit.
– Roli i Kryeministrit do të minimizohej. Do të krijohej posti i zëvendës Presidentit, ku do të shërbenin dy ose tre zyrtarë.
– Presidenti do të bëhej kryesori i ekzekutivit dhe kreu i shtetit, duke mbajtur lidhjet me partinë e tij politike.
– Presidenti do të kishte fuqi të emëronte ministra, të përgatiste buxhetin, të zgjidhte shumicën e gjykatësve të lartë dhe miratonte ligje të caktuara me anë të dekreteve.
– Presidenti do të kishte fuqi që të shpallte gjendje të jashtëzakonshme në vend dhe të shpërndante parlamentin.
– Parlamenti do të humbte të drejtën për të vëzhguar ministrat ose të propozonte ndonjë hetim. Megjithatë, do të kishte mundësi që ta përndiqte presidentin pasi të ketë mbledhur dy të tretat e votave të deputetëve.
– Numri i deputetëve do të rritej nga 550 në 600.
– Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare do të mbaheshin në të njëjtën ditë çdo 5 vjet, kurse Presidenti do të kishte dy mandate.