E premte, 18 Prill, 2025
13.8 C
Skopje

75 vjet shkolla shqipe në një pullë (FOTO)

Shkup, 19 nëntor – Një fotografi e shkrepur në 75 vjet më parë në shkollën Ismail Qemali në Banicë të Epërme të Gostivarit do të jetë imazhi i pullave të reja postale, shkruan gazeta KOHA. Në sfondin e kësaj pulle shihet grupi i nxënësve djem e vajza së bashku me mësuesin Skënder Haxhiademi, bashkëngjitur me një dokument të kohës, dëshmi në gjuhën shqipe që mban vulën e Mbretnisë Shqiptare. Promovimi i pullës është bërë në ambientet e Institutit të Trashëgimisë (ITSHKSH), ku përfaqësues të postës dhe historianë kanë folur për rëndësinë e atyre viteve për hedhjen e bazave në arsimin shqip dhe emancipimin e shoqërisë. Drejtori i ITSHKSH, Skënder Hasani, thotë se iniciativa për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe në Maqedoninë perëndimore që atëherë ishte pjesë e shtetit shqiptar pati impaktet e veta edhe disa dekada më vonë.

“Vendimi i Ministrisë së Arsimit për të dërguar qindra mësues në Maqedoni dhe Kosovë ishte një mënyrë me të cilën iu kundërvunë projekteve asimiluese të fqinjëve dhe ishte një vetëmbrojtje që përmes arsimit dhe emancipimit të mos lejonin asimilimin. Ishin këto shkolla dhe nxënësit e mësuesit që dolën prej tyre më pas që i mundësuan shqiptarët të kalonin periudhat e errëta të viteve 70-të, por edhe më pas”, thotë drejtori Hasani. Historiani Nebi Dervishi ka sjellë më shumë detaje për ato vite. Numri i mësuesve të ardhur në Maqedoni ishte 118, të cilët hapën gjithsej 88 shkolla. Një numër më i madh, 265 mësues shkuan në Kosovë me misionin e njëjtë, iniciativë kjo e ministrit të atëhershëm Ernest Koliqi. Shkollat u hapën në Strugë, Dibër, Tetovë e Gostivar dhe mes mësuesve vullnetarë kishte një numër të madh femrash… (më gjerësisht në numrin e nesërm të gazetës KOHA)

© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

 

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm