Boksieri britanik Anthony Joshua ka mbrojtur në orët e para të mëngjesit të sotëm titullin kampion bote të peshave të rënda, në kategorinë IBF, duke mundur me “KO” në raundin e tretë Eric Molina. Ky është triumfi nr.18 i Joshua në karrierën e tij në po kaq duele të zhvilluara, të gjitha fitore me “KO”. Dueli u zhvillua në “Manchester Arena” dhe u ndoq nga shumë personazhe VIP, përfshi edhe rivalin e tij të ardhshëm Wladimir Klitschko (do të përballen në “Wembley” më 29 prill). Nuk munguan edhe David Haye e Tyson Fury, që panë nga afër forcën e kolegut të tyre Joshua, që e mbrojti për të dytën herë titullin kampion. Një sfidë fanatstike e Joshua, që pasi studio dhe provokoi me disa grushte rivalin në dy raundet e para, në të tretin e hodhi në tapet, duke ndalur para kohe një sfidë me 12 raunde. Edhe pse Klitschko shihte nga afër sfidën, Joshua e injoroi gjatë duelit rivalin e ardhshëm, duke u fokusuar te duel dhe arriti një fitore të merituar ndaj një boksieri të fortë si Molina. Edhe pse Molina u duk i karikuar, nuk ishte në gjendje t’i bënte ballë kampionit të botës. Me fillimin e raundit të tretë, një e majtë e më pas një e djathtë e Joshua nxorën “jashtë loje” amerikanin, që u dorëzua shpejt, ndërsa britaniku nisi festën.