Omer XHAFERI
Shkup, 7 mars – Vendet historike si Çarshia e Shkupit, gjithandej botës paraqesin epiqendrën e zhvillimeve kulturore dhe shoqërore. Por, fatkeqësisht një gjë e tillë nuk ndodhë në vendin tonë. Organizimi, zhvillimi, ndërtimi apo investimi në sferën e turizmit, padyshim se kërkon rritjen e sigurisë dhe mirëmbajtjen e tij, shkruan gazeta KOHA. Viteve të fundit Çarshia e Vjetër e Shkupit, ka pësuar një rritje të vizitave dhe hapjeve të lokaleve të reja.
Mirëpo, njohësit e mirë jetës së Çarshisë, thonë se kapaciteti i këtij kompleksi historik nuk është shfrytëzuar maksimum. Ndonëse në periudhën e fundit nuk ka ndodhur ndonjë ekses më i madhe, me dëmtimin apo vjedhjen e dyqaneve, megjithatë siguria mbetet ndër anomalitë më të mëdha që i ka kjo Çarshi.
Kryetari i shoqatës së “ESNAFIT”, Bejtullah Morina, kur flet për çështjen e sigurisë, nuk nguron të thotë se Çarshia e Vjetër e Shkupit, disponon me një lloj sigurimi, por i njëjti ka një kohë të gjatë që është jashtë funksionit, ka mungesë të kuadrit dhe në përgjithësi ai përballet me problemet në aspektin organizativ. Në interes të përmirësimit dhe kthimit sa më të madh të vizitorëve, ESNAFI i Çarshisë së Shkupit, vitin e kaluar nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me kryetarin e Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov dhe kryeministrin, Zoran Zaev.
“Pikat nga marrëveshje e arritur me institucionet përkatëse, jemi duke u munduar t’i realizojmë në praktikë. Besoj se së shpejti do të fillojë realizimi i projekteve në Çarshi, përfshi edhe çështjen e një sigurimi më të mirëfilltë. Por, para se sigurimi i ri të marrë përsipër kujdesin mbi Çarshinë, duhet paraprakisht ta zgjidhim problemin me lypsarët, shitësit e egër dhe taksistët, të cilët qëndrojnë në të dy hyrjet e Çarshisë”, thekson për gazetën KOHA, Bejtullah Morina.
Marrëveshja e arritur mes ESNAFIT dhe Qytetit të Shkupit, lidhur me çështjen sigurimi të ri të Çarshisë, parasheh që në gjashtë muajt e parë, sigurimi të paguhet nga ana e administratës së Qytetit dhe më pas mbulimin e harxhimeve të sigurimi ta marrin vetë dyqanxhinjtë e Çarshisë.
Qëllimi kryesor i sigurimit të ri të Çarshisë, i cili pritet të vendoset së shpejti, siç njoftoi kryetari i ESNAFIT, Bejtullah Morina, nuk do të përqendrohet vetëm në sigurimin e objekteve dhe dyqaneve, por në përgjithësi në mbarëvajtjen e rendit dhe qetësisë publike në këtë pjesë të vjetër të qytetit të Shkupit. Gjatë kësaj kohe detyrë shtesë e sigurimi të Çarshisë, sipas ESNAFIT, do të jetë edhe parandalimi i veturave dhe motoçikletave.
Me vendosjen e sistemit të ri të sigurisë, paralelisht pritet të bëhet edhe riparimi i shtyllave elektrike, të cilët vite me parë u vendosen nga autoritet e Komunës së Çairit, me qëllim parandalimin e qarkullimit të automjeteve. Megjithatë, siç dihet me prishjen e tyre, Çarshia gjatë periudhës së verës i ngjanë një piste garash.
“Kërkesa e jonë fillestare është që vetë shtetit t’i largon shitësit e egër dhe lypsarët. Më pas kemi paraparë rregulla të posaçme për dyqanxhinjtë dhe mundësia e tyre për shfrytëzimin e hapësirës publike, për të cilën do të paguajnë një shumë simbolike. Me përmubshjen e këtyre kushteve, detyrë e sigurimi do të jetë mirëmbajtja e rendit dhe qetësisë brenda çarshisë.
Qëndrimi i organeve të rendit është se për shkak të mungesës së kuadrove të mjaftueshëm, ato nuk kanë mundësi 24 orë të qarkullojnë brenda Çarshisë”, theksoi, Morina. Problemin shumë vjeçar me shitësit e egër të cilët gravitojnë në Çarshi, ESNAFI e ka paraparë t’a zgjedh me sistemin e kësaj kategori të shitësve, brenda tregut të Bit Pazarit. Marrëveshja e arritur mes organeve përkatëse dhe kryesisë ESNAFI, është që për tre muaj me radhë shitësit e egër, pa pagesë t’i shfrytëzojnë tezgat e tregut të Bit Pazar. (koha.mk)