Libri është një monografi me dokumente, fotografi dhe dëshmi për familjet katolike shqiptare të Shkupit, një libër plot gjurmë që synon të rikujtojë të kaluarën historike të shqiptarëve
Delvina KËRLUKU
Shkup, 26 shtator – Me rastin e 90-vjetorit të nisjes nga Shkupi për në mision të humanistes shqiptare Gonxhe Bojaxhiu – Shën Tereza, Instituti i Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve – Shkup, organizoi promovimin e librit “Familjet katolike shqiptare në Shkup” të autorëve Skënder Asani, Albert Ramaj dhe Natasha Didenko, dhe ekspozitës dokumentare “Jeta përmes kujtimeve”, shkruan gazeta KOHA. Libri është një monografi me dokumente, fotografi dhe dëshmi për familjet katolike shqiptare të Shkupit, me plot gjurmë që synon të rikujtojë të kaluarën historike të shqiptarëve.
Drejtori i ITSH, Skënder Aasani , njëherë bashkëautor i veprës, tha se kanë gjurmuar arkivat e ndryshme dhe kanë gjetur pasuri të jashtëzakonshme, të cilat e argumentojnë prezencën e shqiptarit në kontinuitet iliro- arbërore – shqiptare dhe kjo më së mirë argumentohet në qytetin e Shkupit dhe sidomos në rrjedhat e saj të historisë që nga antikiteti.
Shkupi ka qenë qendër kishtare – ilire, pastaj me popullatë më të madhe shqiptare se sa Tirana dhe Prishtina. Ai vuri në dukje se politikat e pushtuesve të atëhershëm kanë punuar në reforma të ndryshme që kanë dëshiruar shfarosjen e popullit shqiptar në këtë trevë, si dhe populli shqiptar si ardhacak. Përveç dokumenteve libri pçrmban edhe intervista me katolikët shqiptarë dhe fotografi shumë të vjetra, të cilat janë një pasuri për popullin shqiptar.
Për veprën foli publicisti Emin Azemi, i cili tha se libri “Familjet katolike shqiptare në Shkup”, mëton të heq mjegullën e panevojshme për historinë tonë shqiptare, ku në kontekste të caktuara janë imponuar. Për të dëshmuar autoktoninë e pandërprerë në qytetin e Shkupit dhe për ta argumentuar këtë tezë autorët kanë qenë dashur që të hulumtojnë traditën, folklorin, gjuhën dhe në përgjithësi trashëgimin kulturore të familjeve (të vjetra) katolike të shqiptarëve. Familje këto si Bojaxhiu, Sereçi, Ukhajdari, Ndreca, Marku e shumë të tjerë. Në hulumtim, sipas Azemit vihet në pah homogjeniteti i gjuhës, ku nuk do të kishte peshë pa Ipeshkvinë Shkup – Prizren, e cila t veproi në kryeqytetin Dardanisë.Identifikimi i shqiptarëve vetëm si mysliman nga propaganda sllave e përdorur për qëllime të veta, por, kanë qenë pikërisht familjet katolike shqiptare që kanë prishur falsitetin e këtij diskursi civilizues.
Jahja Llukaj, koordinator i qeverisë të Kosovës për “vitin e Skënderbeut” tha se pavarësisht punës që bën ITSH, shqiptarët nuk janë duke punuar aq sa duhet për të rrëzuar tezat e prapështa të akademisë Serbe. Llukaj theksoi se ka patur rastin ta takojë nënë Terezën dy herë, njëherë në pritjen e Papës në Shkodër dhe në Elbasan.
Anton Sereçi, një prej përfaqësuesve të familjeve katolike shqiptare të Shkupit, vuri në dukje se katolikët nuk kanë një prift shqiptar, dhe për pasojë mesha nuk drejtohet në gjuhën shqipe, edhe përkundër faktit se është e lejuar dekret me Vatikanit. Sipas tij në ato vende ku jetojnë besimtarë, në atë gjuhë duhet të drejtohet mesha. Libri është promovuar më herët në Nju Jork, Tiranë dhe së fundmi në Shkup. (koha.mk)