Jenny Erpenbeck është bërë shkrimtarja e parë gjermane që merr “The International Booker Prize”, ndërkaq Michael Hofmann është përkthyesi i parë. “Kairos” rrëfen historinë e një marrëdhënieje të vendosur kundër kolapsit të Gjermanisë Lindore. Është përshkruar si njëri prej romaneve më të zymta e të bukura që është shkruar ndonjëherë
(The Guardian) – Jenny Erpenbeck dhe Michael Hofmann kanë marrë “The Booker Prize” për 2024, për romanin “personal dhe politik” të Erpenbeckut, “Kairos”, përkthyer nga Hofmann prej gjermanishtes. Erpenbeck është shkrimtarja e parë gjermane që merr këtë çmim, ndërsa Hofmann është përkthyesi i parë. Paratë e çmimit prej 50.000 funtesh (58 mijë euro) do të ndahen në mënyrë të barabartë midis autores dhe përkthyesit. Erpenbeck dhe Hofmann u shpallën fitues në një ceremoni të mbajtur në Tate Modern në Londër, të sponsorizuar nga shtëpia luksoze italiane e modës “Maison Valentino”.
“Kairos” tregon historinë e një marrëdhënieje të vendosur kundër kolapsit të Gjermanisë Lindore. Romani është një “evokim me teksturë të pasur i një lidhjeje torturuese dashurie, njëfarë ngatërrimi i transformimeve personale dhe kombëtare”, ka thënë anëtarja e jurisë Eleanor Wachtel.
Përkthimi i Hofmannit “kap elokuencën dhe ekscentricitetin e shkrimit të Erpenbeckut, ritmin e fjalive të saj të përmbledhura, shtrirjen e fjalorit të saj emocional”, ka shtuar ajo. Erpenbeck ka thënë: “Kanë kaluar tridhjetë vjet qëkur vendi në të cilin kam lindur nuk është më, kështu që mund të guxoj të shikoj prapa dhe të gjej kohën time për të hulumtuar me kujdes atë që kam jetuar pa qenë në të vërtetë në dijeni”. “Kisha këtë ide për të bërë një kolazh mes një historie dashurie dhe asaj historike”, ka shtuar ajo. Kjo ia dha asaj mundësinë për të ekzaminuar se si gjërat “që do të duhej të ishin të vërteta dhe të shkëlqyera” dhe që kishin “potencial utopist” e mund të shndërroheshin në “komunikim krejtësisht të dështuar”.
Hofmann tha: “Isha vërtet me fat që më kërkuan të bëja këtë libër… Dhe falënderoj Jenny që më besoi mua.”
Wachtel ka thënë se vendimi i jurisë u mor me “konsensus të konsiderueshëm” dhe se biseda përfundimtare e marrjes së vendimit zgjati gjysmë ore. “Në fakt isha e befasuar nga unanimiteti përfundimtar… ky ishte libri tek i cili të gjithë bashkoheshin me një mendim.” “Kairos” është romani i katërt i Erpenbeck. Libri i dytë i saj, “The Fund of Days” fitoi çmimin “Independent” për letërsinë e huaj në vitin 2015, i cili ishte pararendës i çmimit “The Booker Internationa”. I treti, “Go, Went, Gone”, ishte në listën e gjerë për çmimin “The Booker Prize” në vitin 2018.
Hofmann ka fituar gjithashtu çmimin “Independent” për letërsinë e huaj – në vitin 1995, për përkthimin e romanit të babait të tij Gert Hofmann, “The Film Explainer”. Ai ishte anëtar jurie për “The International Booker Prize” në vitin 2018.
“’Kairos’ është një nga romanet më të zymta dhe më të bukura që kam lexuar ndonjëherë”, ka shkruar Natasha Walter në recensionin e saj për romanin, botuar në “The Guardian”. “Natyra e errët e marrëdhënies gjen shprehje në stilin karakteristik të palëkundur të Erpenbeck. Romani është shkruar në kohën e tashme, një teknikë që mund të jetë thikë me dy tehe kur përdoret nga shkrimtarë më të vegjël. Në një përkthim elegant nga Michael Hofmann, këtu krijon një intensitet klaustrofobik”.
Librat e tjerë të përzgjedhur për çmimin ishin “Not a River” nga Selva Almada, përkthyer nga Annie McDermott; “The Details” nga Ia Genberg, përkthyer nga Kira Josefsson; “Mater 2-10” nga Hwang Sok-yong, përkthyer nga Sora Kim-Russell dhe Youngjae Josephine Bae; “What I’d Rather Not Think About” nga Jente Posthuma, përkthyer nga Sarah Timmer Harvey; dhe Crooked Plough nga Itamar Vieira Junior, përkthyer nga Johnny Lorenz. Wachtel në panelin e jurisë u shoqërua nga poetja Natalie Diaz, romancieri Romesh Gunesekera, artisti pamor William Kentridge dhe shkrimtari, redaktori dhe përkthyesi Aaron Robertson.
Fituesit e mëparshëm të çmimit përfshijnë Han Kang dhe përkthyesja Deborah Smith, Olga Tokarczuk dhe përkthyesja Jennifer Croft dhe Lucas Rijneveld dhe përkthyesja Michele Hutchison. Shkrimtari bullgar Georgi Gospodinov dhe përkthyesja Angela Rodel fituan çmimin 2023 për “Time Shelter”.
(Marrë nga Koha.net)