Manastir, 6 nëntor – Këshilli për Etikë në Media në bashkëpunim me zyrën rajonale të Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë në Manastir, mbajti konferencë kushtuar lirisë së shprehjes, lirive mediale dhe vetërregullimit.
Sipas Marina Tuneva, drejtoreshë ekzekutive e Këshillit për Etikë në Media, edhe krahas asaj që në raportin e sivjetmë për progresin e shtetit është konstatuar se është duke u përmirësuar liria e mediave dhe liria e të shprehurit, megjithatë mbetet obligimi i mediave për ta përmirësuar respektimin e standardeve profesionale të cilën gjë e thekson edhe Këshilli për Etikë në Media.
“Rritja e kuantumit të informacioneve dhe kanaleve për përhapjen e tyre hapën më shumë mundësi për lirinë e të shprehurit në kushte kur gazetaria e Maqedonisë mbytej në listat ndërkombëtare të rejtingut për lirinë e mediave. Ky shpërthim i informacioneve dhe mediave solli shumë sfida për gazetarinë profesionale, nga degradimi brengosës së standardeve etike deri në më shumë dilema ligjore dhe në këtë kuptim më shumë se e nevojshme është gazetari profesionale si element esencial për demokraci funksionale”, tha midis tjerash Tuneva në konferencën rajonale në Manastir.
Rikardo Guterez, sekretar i përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, në konferencën në Manastir theksoi se në përgjithësi në Evropë po ndodh ulje e gazetarisë si profesion dhe porositi që në Maqedoni fokus i veçantë t’i vihet procesit të vetërregullimit.
“E di se në Maqedoni në procedurë janë ndryshime të Ligjit për media dhe mendoj se ai ligj duhet ta sigurojë pavarësinë e mediave dhe profesionit të gazetarisë. Liria e mediave dhe kushtet për punën e gazetarëve duhet të përmirësohen dhe në funksion të këtij qëllimi duhet të angazhohen të gjithë, ndërsa për këtë nevojiten organizata dhe shoqata të fuqishme mediale”, theksoi Guterez.
Në konferencën rajonale në Manastir fjalime patën edhe Katerina Sinadinovska, kryetare e KD të KEMM, profesori Sefer Tahiri anëtar i komisionit për ankesa në kuadër të KEMM dhe Dragan Sekullovski, drejtori i SHGM-së.