Athinë, 3 dhjetor – Për marrëdhëniet shqiptaro-greke, duke i karakterizuar si historike dhe tradicionale, por edhe për gatishmërinë për përmirësimin e relacioneve në bazë ditore, flet kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama për agjencinë greke informative ANA-MPA.
“Është një marrëdhënie historike dhe tradicionale e fqinjësisë dhe siç gjithmonë ndodh me fqinjët, nuk është gjithçka perfekte. E dimë këtë nga rajoni ynë, me çdo fqinj, qoftë në fshat apo në qytet ose midis vendeve, është gjithmonë e njëjta marrëdhënie”, ka vënë në dukje kreu i qeverisë shqiptare.
Kryeministri i Shqipërisë theksoi edhe se ekziston gatishmëri për përmirësimin e marrëdhënieve të përditshme, ndërsa si më të rëndësishme e theksoi atë se nuk ekziston armiqësi ndërmjet popujve.
“Grekët e duan Shqipërinë, shqiptarët e duan Greqinë. Pjesa tjetër është vetëm politikë”, ka theksuar midis të tjerash Rama.
Edi Rama në margjinat e konferencës së agjencisë informative dhe lajmeve të rreme që u mbajt në Tiranë, për ANA-MPA deklaroi se pret që së shpejti të takohet me kolegun e ri grek.
“Pritet të takohemi së shpejti. Nuk e di se ku, në Tiranë apo në Athinë, por pritet të takohemi së shpejti. Jemi në një proces të një dialogu shumë intensiv dhe të diskutimeve për shumë çështje, që mbulojnë shumë vite, si dhe të çështjeve të tjera që kurrë nuk janë shtruar me vullnet të plotë, kurajo dhe vendosmëri për t’i zgjidhur. Besoj se jemi shumë pranë që t’i zgjidhim këto, e kjo do të ishte diçka me vlerë”, ka përfunduar ai.