Shkup, 12 nëntor – Në një atmosferë të shkëlqyer dhe me forca të reja, përfaqësuesja e Maqedonisë do ti kundërvihet përfaqësueses së Spanjës, në ndeshjen e cila do të zhvillohet sot (e shtunë, ora 20.45) në Granada në kuadër të kualifikimeve për KB Rusi 2018. Nuk ka dyshim se favorit absolut për të fituar këtë ndeshje janë nikoqirët, por nga kontingjenti verdhekuq premtojnë angazhim maksimal dhe ku ata do të kërkojnë rezultat pozitiv. Dy nga gjithsejtë pesë futbollistët shqiptar në përfaqësuesen e Maqedonisë, Ezgjan Alioski dhe Besart Ibraimi, besojnë se mund të arrijnë rezultat pozitiv, por janë të vetëdijshëm se për të arritur këtë, do ta kenë vështirë.
“Kemi ardhur këtu për të dëshmuar se mundemi të bëjmë gjëra të mira edhe pse e dimë se do të jetë ndeshje e vështirë. Kemi luajtur mirë me Shqipërinë, Izraelin dhe posaçërisht Italinë, mirëpo na ka munguar fati sportiv dhe nuk kemi marrë atë që meritojmë. Tani duhet të shikojmë përpara dhe të kërkojmë të vazhdojmë me ritmin e ndeshjeve të mira, por me shpresë se do të vijnë edhe rezultatet. Spanja është favorit dhe këtu nuk ka shumë për tu folur, por ne duhet të hyjmë pa frikë dhe me respekt në kualitetin tonë, për të dhënë më të mirën dhe për të luftuar për rezultat pozitiv. Në futboll ndodhin befasitë dhe ne shpresojmë të jemi protagonist të një surprize”, tha për KOHA Alioski.
“Ne jemi në një fazë kur po ndërtojmë diçka pozitive dhe në këtë periudhë përkundër paraqitjeve të mira na ka munguar fati për të dalë me rezultate pozitive. Si profesionistë në çdo ndeshje kërkojmë të hyjmë të motivuar për të dhënë më të mirën, por realisht ndeshje të këtilla si ajo me Italinë dhe kjo me Spanjën nuk ka nevojë për motiv shtesë, pasi të motivon vetë emri I kundërshtarit dhe fakti që do të përballesh me futbollistë që luajnë në klubet më të mëdha evropiane. Normal, kjo gjë në vete sjell vështirësi, është rëndë të marrë rezultatin e dëshiruar, por duke besuar në potencialin tonë do të japim më të mirën me shpresë se mund të dalim me rezultat pozitiv. Besoj të paraqitemi mirë, ndërsa pas përfundimit të 90-të minutave do të shikojmë nëse kjo do të jetë e mjaftueshme për dalë me rezultat të favorshëm”, shprehet për KOHA sulmuesi Ibraimi.
Ndryshe, përfaqësuesja e Spanjës ndaj Maqedonisë do të luajë pa disa prej futbollistëve të saj më të mirë si, Zherar Pike, Iniesta, Ramos dhe Alba dhe sipas gjitha gjasave pa Diego Kostan. Por, edhe përkundër këtyre mungesave, Spanja mbetet favorite në këtë ndeshje.
“Duhet të jemi të kujdesshëm, pasi ata u shkaktuan shumë probleme italianëve. Ata mbrohen me shumë futbollist dhe rastin e tyre do ta kërkojnë nëpërmjet kundërsulmeve. E dimë lojën e tyre dhe sigurisht se do ta kemi rëndë. Por, ne kemi lojtar kualitativ dhe mendoj se do të mund të arrijmë deri te fitorja. Nuk guxojmë të gabojmë në një grup ku është edhe Italia, të cilët do të shfrytëzojnë secilin kiks eventual tonin”, deklaroi Huan Mata,
Derisa, në stadiumin “Estadio Nuevo Los Cármenes” pritet të jenë mbi 20 mijë shikues, ndërsa kapaciteti i këtij stadiumi është 23 mijë shikues. (B.K.)