Ish-deputet i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, deklaroi në studion e “Ditarit” në A2 CNN se deputetët socialistë kanë në dorë vetëm të propozojnë shkarkimin e Presidentit të Republikës dhe jo ta shkarkojnë atë.
“Deputetët socialistë nuk kanë asgjë më shumë sesa mundësinë për të propozuar shkarkimin e Presidentit të Republikës. Kaq. Maksimumi do të jetë tentativë partiake për të marrë edhe një pushtet tjetër. Vetëm Gjykata Kushtetuese ka kompetencën për shkarkimin e Presidentit, Parlamenti bën vetëm propozime. Nëse Presidenti thotë se nuk ka zgjedhje, kryeministri nuk ka kompetencë për dekretim date zgjedhjesh”, deklaroi ish-deputeti democrat.
Në lidhje me vendimin e Kolegjit Zgjedhor për të lënë në fuqi 30 qershorin si datë zgjedhjesh, Bylykbashi u shpreh: “Sot ai kolegj është repart i PS-së. Rama kërkoi një gjykatë që t’i kundërvihej dekretit të Presidentit, por Kolegji Zgjedhor nuk e ka këtë kompetencë. Po të kishim Gjykatë Kushtetuese, do të bënim debat edhe për kompetencën e paqenë të Kolegjit Zgjedhor”.