Disa zëra, që madje kanë fituar procesin në Strasburg, kanë qenë të lustruar me votat e të gjithë anëtarëve të Komisionit, duke përfshirë edhe ata të LSDM-së(në rastin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese), prandaj, çdo drejtim gishti vetëm nga një pale, do të ishte jo korrekte
Nga Daut DAUTI
Çka mund të jetë qëndrimi i një ish-anëtari të komisionit të lustrimit, kur sheh se sillet një ligj i ri për lustrimin, i kushedi sati me radhë, brenda dhjetë vjetësh? Nuk ndihet mirë, gjithsesi, jo pse i rrënohet “vepra” e tij shumëvjeçare, por pse në këtë disonancë pro et contra, ka shumë zëra që nuk i dinë gjërat ose i harrojnë, dhe krijojnë një pasqyrë jo të plotë të së vërtetës dhe ta drejtojnë gishtin ty, edhe pse pa ndonjë faj. Edhe reagimi im i parë kur mësova se qeveria përgatit një ligj, me të cilin “do të hiqen pasojat e lustrimit”, ishte ky: si janë sjellë dy ligje më parë dhe disa ndryshime të tij, mund të sillet edhe një. Edhe një në atë varg, asgjë e pazakontë. Ligjet i sjell Parlamenti në bazë të marrëveshjeve politike ose disponimit momental të ndonjë shumice parlamentare…
Ja, ky do të ishte një qëndrim indiferent, ndoshta jo aq i pritshëm, vërtet përgjegjësinë e ka Kuvendi, siç ka vepruar në të gjitha versionet e mëparshme të ligjeve të lustrimit. Anëtarët e Komisionit nuk janë përgjegjës se çka votohet nga organi më i lartë ligjvënës, ata vetëm e zabtojnë, aq më pak mund të jenë tash kur puna e tyre ka përfunduar. Për lustrimin, janë bërë fushëbeteja edhe në parlament, edhe jashtë tij, sidomos në media, edhe kur komisioni i lustrimit ishte komplet dhe kishte konsensus, edhe kur partitë maqedonase, humbeshin në zellin e betejave të tyre, dhe bënin çmos që ai proces i filluar me konsensus, të devalvohet. Por, meqë jashtë kontekstit të ligjit ka deklarata dhe interpretime të pamatura, e shoh të udhës që në një farë mënyre të sqaroj disa aspekte të procesit, që të mos mbeten gjërat të paqarta ose të pathëna gjer në fund, se përndryshe, ka gjasë të harrohen ose relativizohen.
- EDHE NJË LIGJ, ASGJË E RE…
Assesi nuk mund të isha i habitur nga ky ligj në paralajmërim, sepse s’është asgjë e re në praktikën parlamentare. Sillen ligje dhe me kohë ato ndryshohen. Shihni Gazetën Zyrtare dhe do të bindeni, si një ligj ka evoluar me vite, prandaj paralajmërimin për një ligj “rehabilitues” të “viktimave të lustrimit”, as më habit, e as dua ta kuptoj si atak personal si një ish-anëtar i organit që e zbatoi ligjin, pos si edhe një akt fushëbetejash midis partive që zihen për gjithçka, edhe kur kanë edhe kur nuk kanë arsye. Për të njëjtën fushë, sillen dhe më shumë ligje. Lustrimi nuk është ndonjë përjashtim. Një herë qe votuan një ligj me KONSENZUS, pastaj atë e cungoi Gjykata Kushtetuese. Më vonë konsensusi u braktis dhe më dikur e braktisën procesin anëtarët e LSDM-së me sugjerimin e partisë. Pastaj siç ndodh shpesh, partitë në pushtet, të çliruara nga presioni i opozitës(e cila një kohë edhe e kishte braktisur parlamentin), sollën ligj me emër të ri dhe “sipas masës së tyre”, siç do të thoshte opozita e atëhershme. Kuptohet, më e interesuar në këtë çështje ishte VMRO-DPMNE-ja, e cila ligjit i dha hapësirë më të gjerë përfshirjeje(ish-funksionarë dhe persona publikë pavarësisht a ishin të gjallë a të vdekur) dhe metodologji të re(në vend të deklaratave personale, u obliguan institucionet të paraqesin listat e të punësuarve të tyre) dhe disa aspekte problematike që shkaktonin reagime(botimi i vendimit dhe dokumenteve në faqen e komisionit, para se personat ta shfrytëzonin të drejtën për të paditur vendimin). Pas disa vërejtjeve nga Komisioni i Venecias dhe në Raportin e Pribesë, Parlamenti në vend se të korrigjonte ligjin, bëri atë që iu duk më pak e dhembshme, solli ligj të ri, fare të shkurtër, më 2015-tën, për ndërprerjen e procesit të lustrimit, ndërkaq deri më 31 gusht 2017, u la mandati i Komisionit që të merret me procedurat tashmë të filluara.
Kësisoj përfundoi procesi më i përfolur shoqëror te ne, i cili kishte për qëllim mënjanimin e ish-bashkëpunëtorëve të organeve të sigurimit dhe ish-urdhërdhënsave që kishin shkelur liritë dhe të drejtat e njeriut.
Çështja pse në publik shumë nga të lustruarit e paraqesin veten si viktima, ndoshta është dhe një reagim normal, sepse askush nuk e ndjen veten komod kur të zbulohet e kaluara jo aq dinjitoze, ose pse bashkëpunimin e tyre me organet e sigurimit, që dikur mund ta kenë kuptuar si obligim a detyrë patriotike, një ligj “problematik” i sotëm e trajton si shkelje lirish të drejtave të njeriut. Dhe ky ligji në paralajmërim, me të cilin tash do të rehabilitohen ata që dikur u kanë shkaktuar telashe shumë njerëzve, s’është për t’u habitur, sepse ligjet sillen a ndryshohen, sipas disponimit të atyre që kanë mundësi ta bëjnë këtë. Sot një version, nesër një tjetër…
Por, edhe atëherë kur zhvillohej procesi i lustrimit, gjithnjë përmendej një çështje tjetër: nevoja për rehabilitimin dhe zhdëmtimin e viktimave të përndjekjes politike. Por, ja, kanë kaluar dhjetë vjet nga fillimi i lustrimit dhe dy vjet nga mbyllja e procesit, dhe nuk pati gatishmëri për t’iu filluar rehabilitimit! Dobësia e këtij ligji është pikërisht fakti se do të rehabilitohen të gjithë të lustruarit, e jo vetëm ndonjëri tek i cili ndoshta ka pasur më pak elemente inkriminuese, ndërkohë që vetë viktimat e tyre mbeten pa kurrfarë rehabilitimi. Të përkujtojmë se në Shqipëri dhe Kosovë së pari është bërë rehabilitimi i viktimave të regjimit komunist, para se fare të nisë lustrimi(nuk ka konsensus për të, ndoshta edhe më mirë!).
- LUSTRIMI FILLOI ME KONSENSUS…
Procesi i lustrimit është ndër proceset e rralla rreth të cilit ka pasur konsensus të përgjithshëm. Kur u soll ligji në vitin 2008 (Ligjin e propozoi deputeti i Partisë Liberale, Stojan Andov), pas tij u rreshtuan të gjitha partitë. Ky rreshtim nuk ishte i rastit, sepse ai dilte nga një rezolutë e Këshillit të Evropës, nisur edhe nga përvojat e shumë shteteve që tashmë e kishin bërë procesin e lustrimit, por edhe nga autoriteti i propozuesit të ligjit, Stojan Andov, si politikan me përvojë, i cili mund të ishte faktor koheziv përtej rivalitetit të dy partive më të mëdha maqedonase. Partitë shqiptare u rreshtuan ngase me lustrimin do të përshiheshin ata që kishin marrë në qafë shumë shqiptarë në proceset e përndjekjeve politike.
Duhet cekur se edhe fillimi i punës së Komisionit për Verifikimin e Fakteve ka qenë i mbarë, ose të paktën kështu ishte derisa nuk u shfaqën disonancat e para rreth vetë ligjit, pasi atij ia hoqi disa nene Gjykata Kushtetuese.
Faza e parë e procesit u përshkua me kritika pse gjithë ai komision “i shtrenjtë” nuk po zbulon asnjë kodosh! E theksoj këtë gjë ngase fundi i mandatit të komisionit, u përshkua me disponim të kundërt! Pra, pse komisioni nxjerr “tepër”, edhe pse numri i përgjithshëm i kodoshëve edhe nuk është i madh. Por të madhe e bënë zhurmën disa personalitete të njohura, të cilët u “kapën” në rrjetin e lustrimit, që kishin ose partitë mbrapa, ose mediat. Sot, njëri nga kundërshtarët më të zhurmshëm është Trendafil Ivanovski, ndoshta emri i parë më atraktiv për publikun, kryetar i atëhershëm i Gjykatës Kushtetuese. Ai ka arritur që të fitojë gjyqin në Gjykatën e Strasburgut, për disa arsye procedurale, por në arsyetimin nuk kontestohet fakti është apo nuk është bashkëpunëtor. Në ato çështje përmendet ndikimi i ish-kryeministrit Nikolla Gruevski në lustrimin e tij, gjë e cila nuk është bash e bindshme, sepse vendimi PRO lustrimit të tij ka qenë UNANIM (me sa mbaj mend, me 10 vota pro, asnjë kundër, një anëtar ka munguar në momentin e votimit), pra, edhe ata që i ka zgjedhur VMRO-ja, edhe ata që i ka zgjedhur BDI-ja ose atë që e kishte zgjedhur PDSH-ja, por çka është më e RËNDËSISHME, edhe ata që i kishte zgjedhur LSDM-ja dhe Partia Liberale, votuan PRO shpalljes së tij BASHKËPUNËTOR. Pra, lustrimi i tij as ka qenë selektiv.
Pse e përmenda këtë rast? Ngase dua të përgënjeshtroj ata kritikues që akuzojnë komisionin për “hakmarrje”. Pra, në lustrimin e personave të ndryshëm, komisioni në fazën e parë ka qenë pothuajse unanim. Në atë fazë kishim marrë qëndrim që çfarëdo gjurme në dosje që vërtetonte bashkëpunimin, ata persona të shpalleshin bashkëpunëtorë. Është çështje tjetër që për gjurmë të njëjta, në instancë tjetër, ndodhte që Gjykata Administrative, na e kthente në rishqyrtim lëndën e ndokujt, e për dikë tjetër e verifikonte vendimin tonë, pra, nuk kishte qëndrim të njëjtë! Kështu ka ndodhur që një aktor i njohur maqedonas, i angazhuar si bashkëpunëtor për të ndjekur një nga krerët më të njohur komunistë, Kërste Cërvenkovskin (i përndjekur me nofkën “Kapitalec”), ta shpëtojë gjyqi, ndërkaq një koreograf shqiptar, për të cilin do të ishte më e drejtë të na e kthente, e kishte vërtetuar vendimin e Komisionit! Një kohë, në një periudhë dy-tri vjeçare, askush nuk mund ta akuzojë komisionin se është viktimë e lustrimit “selektiv”.
E përmenda ligjin që është sjellë me konsensus, për të sqaruar një gënjeshtër të madhe të disa të lustruarve. Pra, në atë ligj, të cilin e kanë votuar të gjitha partitë, edhe ato që dikur ishin në pushtet, dhe ato që sot janë në pushtet(me përjashtim të subjekteve që kanë lindur më vonë), ka pasur dy zgjidhje normative që u problematizuan, por që u adresuan gabimisht, sikur të mos e kishin votuar edhe vetë ato: përfshirja në lustrim e periudhës së demokracisë (deri në sjelljen e ligjit, pra viti 2008) dhe përfshirja urdhërdhënësve po të asaj periudhe. Përse atëherë ata që u lustruan e harrojnë këtë fakt dhe përse ia adresojnë si mëkat partive në pushtet? Edhe autori i këtij ligji, Stojan Andov, vendimin e Gjykatës Kushtetuese që ta heqë periudhën e demokracisë, e quante të gabuar! Pra, shumë akuza të panevojshme dhe të pabaza janë hedhur në adresë të gabuar. (Përfundon në numrin e ardhshëm)
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA dhe ish-anëtar i Komisionit për Verifikimin e Fakteve)