Тë dhënat tregojnë se Maqedonia për katër deri pesë herë ngec pas mesatares evropiane, ku për ushqime dhe pije harxhohen 12 për qind e buxhetit shtëpiak në raport me mesataren tonë prej 47 për qind
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 5 gusht – Një amvisëri mesatare në Maqedoninë e Veriut harxhon afër 60 për qind të të ardhurave për ushqim dhe pagesën e komunaleve. Të dhënat e Entit të Statistikës tregojnë se në vitin 2019, qytetarët kanë harxhuar 43 për qind për ushqime, 4 për qind harxhojnë për duhan dhe pije alkoolike, afër 11 për qind për pagesën e rrymës, ujit dhe telefonit. Kjo do të thotë se vetëm për ushqim dhe komunale harxhohen mbi gjysma e të ardhurave mujore të një familje. Njëherazi, 5 për qind për harxhohen për veshmbathje, 4.5 për qind për mirëmbajtjen e shtëpive apo banesave, mobiljet etj.
Të dhënat tregojnë se Maqedonia për katër deri pesë herë ngec pas mesatares evropiane ku për ushqime dhe pije harxhohen 12 për qind e buxhetit shtëpiak në raport me mesataren tonë prej 47 për qind, ndërsa në shtetet më të zhvilluara ekonomike të BE-së për këtë harxhohen 7 deri 10 për qind të buxhetit shtëpiak. E të mos flasim për Britaninë e Madhe që është në rrugën e daljes nga BE, ku një amvisëri harxhon 8.2 për qind për ushqime dhe pije. Bile, si shtet kemi mirëqenie më të ulët edhe se Rumania ku sipas EUROSTAT-it, afër 28 për qind e pagës harxhohet për ushqim. Edhe në Kroaci si anëtare relatvisht e re e BE-së, me shtatë vjet anëtarësim, harxhohen 28 për qind e të hollave për ushqim që flet për mirëqenien jo për të lakmuar në këtë shtet. Ekonomistët thonë se dominimi i harxhimeve për ushqim është një karakteristikë e shteteve të varfra me paga të ulëta. Bile, çmimet tek ne shpesh janë edhe më të larta se në shtetet perëndimore nëse marrim parasysh pagat mesatare vendore prej së paku katër herë deri pesë herë më të ulët në raport me ato evropiane.
“Familjet në vend, një pjesë të madhe të të ardhurave e harxhojnë për kënaqjen e nevojave për ushqim dhe banim, që në fakt flet edhe për shkallën e lartë të varfërisë në shtet që arrin 21.9 për qind apo 455 mijë qytetarë. Madje, edhe familjet me dy paga janë të detyruara të heqin dorë nga një jetesë më cilësore apo nga pushimet, rekreimi, udhëtimet e kështu me radhë”, thonë ekonomistët. Gjithashtu, të dhënat statistikore tregojnë se 31 për qind e popullatës në Maqedoni janë seriozisht të privuar materialisht që nënkupton pamundësinë e realizimit të së paku katër nga nëntë nevojat themelore siç janë: pagesa e qirasë apo komunaleve, ngrohja adekuate e banesës, pagesa e harxhimeve të paplanifikuara, lejimi i ngrënies së mish, peshkut apo mish pule në çdo të dytën ditë, verimi njëjavor, automobili personal, disponimi me makinë për larje, televizor me ngjyrë apo telefon.
Në ndërkohë, anketat e statistikës për vitin e fundit tregojnë se në vitin 2019, shumica e qytetarëve në Maqedoni me vështirësi i mbuluan nevojat e tyre me të ardhurat mujore. Gati një e treta apo 28.6 për qind e qytetarëve thonë se me shumë vështirësi e kalojnë muajin, 26.8 për qind thonë se vështirë mbijetojnë, 28.8 për qind thonë se mbijetojnë me vështirësi të caktuara. Vetëm 15 për qind e popullatës thotë se e kalojnë muajin lehtë. Sipas anketës së Entit të Statistikës “Kushtet për të ardhurat dhe të jetesës në Maqedoni në vitin 2019″, afër 5 për qind e amvisërive në total në Maqedoni kanë tualet jashtë shtëpisë, apo me fjalë të tjera – 97.3 për qind e amvisërive kanë tualet të brendshëm dhe 91 për qind e amvisërive në vendbanimet rurale kanë tualet të brendshëm. Njëherësh, ndërsa 14 për qind e amvisërive jetojnë në kushte joadekuate të jetesës si çatia që pikon, mure të lagështa ose xhama të thyer. Ndryshe, ekspertët ekonomik thonë se nuk ekzistojnë mënyra të tjera të uljes së varfërisë dhe përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve, përveç investimeve, rritjes ekonomike dhe rritjes së punësimeve. (koha.mk)