Duhej të rishikohej pas më shumë se 350 viteve dëbimi dhe mallkimi i Spinozës nga komuniteti i atëhershëm i hebrenjve të Amsterdamit, dhe të gjykohej se a është e mundur që të rehabilitohet figura e filozofit më të madh, Spinozës. Megjithatë, një pyetje mbetet ende e njëjtë gjatë tërë kësaj kohe që ka kaluar: a duhet të konsiderohet Spinoza ende jobesimtar? Dhe këtu janë mospajtimet më të mëdha në lidhje me figurën madhështore të filozofit më të madh hebre të të gjitha kohërave
Më 27 korrik 1656, filozofi më i madh hebre i të gjitha kohërave, Baruch de Espinoza u përjashtua dhe u mallkua nga komuniteti i hebrenjve-portugezë të Amsterdamit, me të gjitha formalitetet e zymta të ritualeve hebreje. “Gjatë leximit të mallkimit [të Spinozës], nota vajtuese dhe të zgjatura të një briri u dëgjuan herë pas here; qirinj, të cilët ishin ndezur në fillim të ceremonisë së mallkimit, u shuan një nga një ndërsa vazhdonte leximi i mallkimit, derisa në fund u shua e fundit prej tyre – tipike për të treguar shuarjen e jetës shpirtërore të njeriut të dëbuar – dhe kongregacioni u la në errësirë totale”, shkruan Heinrich Graetz në librin “Historia e Hebrenjve”.
Gjatë shekujve janë bërë thirrje të vazhdueshme që të zhbëhet herem-i (dëbimi) ndaj Spinozës. Edhe David Ben-Gurion sa ishte kryeministër i Izraelit lëshoi një lutje publike “për të zhbërë padrejtësinë ndaj Spinozës”. Deri sa në vitin 2012 u ringrit kjo çështje me këmbënguljen e njërit prej anëtarëve të kongregacionit hebre të Amsterdamit. Duhej të rishikohej pas më shumë se 350 viteve dëbimi dhe mallkimi i Spinozës nga komuniteti i atëhershëm i hebrenjve të Amsterdamit, dhe të gjykohej se a është e mundur që të rehabilitohet figura e filozofit më të madh, Spinozës. Megjithatë, një pyetje mbetet ende e njëjtë gjatë tërë kësaj kohe që ka kaluar: a duhet të konsiderohet Spinoza ende jobesimtar? Dhe këtu janë mospajtimet më të mëdha në lidhje me figurën madhështore të Spinozës.
Ronit Palache, një hebre sekular holandez shkruan se “është një njollë e zezë në historinë e hebrenjve që herem-i ndaj Spinozës nuk është zhbërë ende”. Johannes van Vloten, në atë kohë e kishte dokumentuar edhe formulën ose mallkimin për “herezitë e neveritshme” që i është lexuar Spinozës nga kongregacioni i hebrenjve-portugezë të Amsterdamit.
“Krerët e Këshillit të Klerëve këtu, para të gjithëve, bëjnë të ditur, se, tashmë plotësisht në dijeni për mendimet dhe veprimet e liga të Baruch de Espinoza-s, për të cilat janë përpjekur që në mënyra të ndryshme dhe me premtime ta udhëzojnë atë larg nga mënyrat e errëta të tij. Por nga pamundësia që të arrijnë të ndryshojnë mënyrën e të menduarit të tij; përkundrazi, çdo ditë e më shumë ata e shohin herezi më të mëdha nga ai, dhe paturpësinë me të cilën ai i zgjeron dhe shpërndan ato jashtë vendit, dhe edhe shumë njerëz tjerë kredibilë duke qenë dëshmitarë të këtyre herezive në prezencë të Espinozës, ai është tani plotësisht i dënuar për këto. Rishikimi është kryer për këtë çështje para krerëve të Këshillit të Klerëve, ka marrë vendim, për të cilën kanë dhënë pajtimin edhe Këshilltarët, të anatemizojnë të përmendurin Spinoza, dhe të shkëpusin atë nga populli i Izraelit, që nga kjo orë ta vendosim atë Anatemë me mallkimin që vijon:
“Me gjykimin e engjëjve dhe fjalitë e shenjtorëve, ne anatemizojnë, mbajmë neveri, e mallkojmë, dhe e dëbojmë Baruch de Espinoza-n, me pajtimin e të gjithë komunitetit të shenjtë, në prezencë të librave të shenjtë me gjashtëqind e trembëdhjetë porositë të shkruara në të, deklarojmë ndaj tij mallkimin me të cilën Elisha mallkoi fëmijët, dhe të gjitha mallkimet e shkruara në Librin e Ligjit. Le të jetë i mallkuar ditën, dhe i mallkuar natën; le të jetë i mallkuar kur shtrihet të flejë, dhe i mallkuar kur zgjohet, i mallkuar kur del jashtë, dhe i mallkuar kur futet brenda. Kurrë Zoti mos e faltë e mos e pranoftë; inati dhe pakënaqësia e Zotit qoftë gjithmonë kundër tij, dhe ta ngarkojë me të gjitha mallkimet e shkruara në Librin e Ligjit, dhe ta fshijë emrin e ti nën qiell; kurrë mos shpëtoftë nga të këqijat dhe ta mbanë larg nga fiset e Izraelit, dhe të gjithë ju që i bindeni Zotit, qofshi të shpëtuar në këtë ditë. Që tani e tutje të gjithë paralajmëroheni që të mos flisni kurrë me të asnjë fjalë goje; as të mbajë komunikim me anë të shkrimit; kurrë asnjeri mos ti kryejë shërbime, mos të flejë nën një çati me të, askush mos ti afrohet afër, as mos të lexojë kurrë asnjë dokument të diktuar nga goja e tij, e as të shkruar nga dora e tij”.
(marrë nga Albanian Post)