Shkup, 22 tetor – Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimi rajonal janë pjesë thelbësore e procesit integrues evropian të Maqedonisë së Veriut dhe kontribuojnë në stabilitetin, pajtimin dhe një klime të përshtatshme për zgjidhjen e çështjeve të hapura bilaterale dhe të trashëgimisë së së kaluarës, theksohet në Raportin e këtij viti të Komisionit Evropian për progresin e vendit, në fushën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal.
Shteti, thotë KE-ja, përgjithësisht mban marrëdhënie të mira dypalëshe me vendet e tjera kandidate si dhe me vendet fqinje të BE-së.
“Gjatë periudhës raportuese, marrëdhëniet me Bullgarinë janë fokusuar në tejkalimin e çështjeve të pazgjidhura dypalëshe, të cilat i hapën rrugën fillimit të procesit të anëtarësimit në BE. Marrëveshjet dypalëshe janë intensifikuar, duke përfshirë disa takime dhe vizita të nivelit të lartë. Të dy kryeministrat u takuan në Sofje, pas aksidentit tragjik të autobusit në Bullgari në nëntor të vitit 2021”, thuhet në Raportin e KE-së.
Në janar të vitit 2022, në Sofje u mbajt një seancë e përbashkët mes dy qeverive, gjatë së cilës u formuan grupet e punës, me fokus ekonominë, tregtinë dhe inovacionin, infrastrukturën dhe lidhjen. Për më tepër, integrimi evropian dhe politikat e gjelbra, kulturën, shkencën dhe arsimin, si dhe një grup pune shtesë për tema dypalëshe.
Në janar të vitit 2022, në Sofje u mbajt një seancë e përbashkët mes dy qeverive, gjatë së cilës u formuan grupet e punës, me fokus ekonominë, tregtinë dhe inovacionin, infrastrukturën dhe ndërlidhjen. Më tej integrimi evropian dhe politikat e gjelbra, kultura, shkenca dhe arsimi, si dhe një grup pune shtesë për tema dypalëshe.
Raporti kujton se pas takimeve të disa grupeve të punës, janë nënshkruar disa marrëveshje bashkëpunimi, duke përfshirë bujqësinë, transportin, sipërmarrjen, arsimin, rininë dhe sportin, si dhe në turizëm.
Ka pasur edhe një deklaratë për uljen e tarifave të roamingut midis dy vendeve. Gjykatat kushtetuese të dy vendeve mbajtën një takim në Shkup në maj të vitit 2022 dhe nënshkruan një Memorandum bashkëpunimi.
“Komisioni multidisiplinar i ekspertëve për çështje historike dhe arsimore ka mbajtur disa takime gjatë periudhës raportuese. Në takimin e mbajtur më 22 korrik të vitit 2022 të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar, i krijuar në përputhje me nenin 12 të Marrëveshjes për miqësinë, fqinjësinë e mirë dhe bashkëpunimin, u nënshkrua një protokoll dypalësh”, thuhet në Raport.
Bashkëpunimi me Greqinë, vijon KE në raportin e tij, është intensifikuar në disa fusha me interes të përbashkët. Presidenti i vendit ishte për një vizitë zyrtare në Greqi në tetor të vitit 2021, ku u takua me lidershipin grek. Ministri i Punlve të Jashtme u takua me Ministren Alternative për Çështjet Evropiane pas samitit BE-Ballkani Perëndimor.
“Në Athinë u mbajt takimi i shtatë i Komisionit të përbashkët të ekspertëve për çështjet arkeologjike, historike dhe arsimore. Në maj të vitit 2022, kryeministri mori pjesë në një ceremoni për të shënuar fillimin e punimeve të ndërtimit për një terminal të gazit të lëngshëm në Aleksandropolis, së bashku me kryeministrat e Greqisë dhe Bullgarisë, si dhe presidentin e Serbisë. Kreu i diplomacisë greke e vizitoi Ohrin në qershor të vitit 2022 për të marrë pjesë në forumin e dialogut të Prespës”, qëndron në Raport.
Siç thekson KE-ja në dokument, marrëdhëniet dypalëshe me Shqipërinë kanë mbetur të mira, duke përfshirë vizitat e nivelit të lartë nga të dyja palët. Është nënshkruar një marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe Këshillit të ministrave të Shqipërisë për njohjen reciproke të miratimeve për operatorët ekonomikë të autorizuar për mbrojtje dhe siguri (AEOS). Në shkurt të vitit 2022 u hap një pikë e re kufitare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Marrëdhëniet e vendit me Bosnjë e Hercegovinën vazhduan të përmirësoheshin në drejtim të zhvillimit dhe bashkëpunimit. Shefi i diplomacisë u takua me zëvendëskryetarin e Këshillit të ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, në margjinat e Samitit të krerëve të diplomacive nga Ballkani Perëndimor të mbajtur në Londër në dhjetor të vitit 2021. Kryeministri u takua me presidentin e Këshillit të ministrave të BeH në margjinat e Samitit të investimeve në Ballkanin Perëndimor.
Bashkëpunimi bilateral me Kosovën është shumë i mirë dhe janë mbajtur disa takime në nivel të lartë. Kryeparlamentari ishte për një vizitë zyrtare në Kosovë në mars të vitit 2022. Presidenti i Maqedonisë së Veriut vizitoi Komandën rajonale të KFOR-it – Perëndim dhe pjesëtarët e kontingjentit nga Maqedonia e Veriut.
Bashkëpunimi dypalësh me Malin e Zi mbeti i mirë. Ministrat për Shoqëri Informatike dhe Administratë dhe për Arsimin dhe Shkencën morën pjesë në Samitin e katërtdDixhital të Ballkanit Perëndimor në Podgoricë në tetor të vitit 2021. Zëvendëskryeministri për Çështjet Evropiane mori pjesë në Forumin e integrimit ballkanik në Podgoricë në vitin 2021. Presidenti i Maqedonisë së Veriut ishte për një vizitë zyrtare në Mal të Zi në prill të vitit 2022.
Më tej në raportin e KE thuhet se bashkëpunimi dypalësh me Serbinë është përmirësuar. Gjatë periudhës raportuese janë mbajtur dy takime mes ministrave të jashtëm. Marrëveshja e bashkëpunimit për themelimin e qendrave kulturore dhe informative në Shkup dhe Beograd është nënshkruar në shkurt të vitit 2022. Takimi i parë i Komitetit për pakicat kombëtare u mbajt në shkurt të vitit 2022. Kryeministri serb vizitoi Maqedoninë e Veriut në maj të vitit 2022.
“Gjatë periudhës raportuese, vendi ka kryer disa aktivitete me Turqinë. Kryetari i Asamblesë së madhe kombëtare të Turqisë ka vizituar dy herë Shkupin dhe ka pasur takime me lidershipin e vendit. Kryetari i Shkupit mori pjesë në Samitin e kryetarëve të komunave ballkanike në Stamboll, ku u nënshkrua Deklarata për bashkëpunim të qyteteve të Ballkanit. Gjatë vizitës u nënshkrua një Memorandum mirëkuptimi ndërmjet Akademisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë dhe Akademisë gjyqësore të Turqisë. Mes dy vendeve u nënshkruan edhe memorandume të tjera bashkëpunimi”, thuhet në Raport.
Për sa i përket nismave rajonale, vendi vazhdoi të marrë pjesë në nisma të shumta bashkëpunimi rajonal, si Marrëveshja e tregtisë së lirë së Evropës Qendrore (CEFTA), Komuniteti energjetik, Komuniteti i transportit, Procesi i bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) dhe Këshilli rajonal për bashkëpunim.
Tregu i përbashkët rajonal është thelbësor për rritjen e atraktivitetit dhe konkurrencës së rajonit. Ai do ta ndihmojë Maqedoninë e Veriut që të përshpejtojë rikuperimin nga pasojat e pandemisë, veçanërisht për të tërhequr investitorë, si dhe për të maksimizuar përfitimet nga investimet në infrastrukturë në kuadër të Planit ekonomik dhe investiv.
Disa vendime të rëndësishme për lehtësimin e lëvizjes së punëtorëve mbeten të bllokuara. Është e rëndësishme që të gjitha palët të luajnë një rol konstruktiv në ndërtimin e një tregu të përbashkët rajonal dhe të përmbushin detyrimet e përbashkëta të përcaktuara në planin e veprimit.
Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria po kërkojnë mënyra për të thelluar bashkëpunimin rajonal në shumë fusha, veçanërisht integrimin ekonomik përmes Iniciativës Ballkani i Hapur, duke zbatuar de fakto disa elementë të tregut të përbashkët rajonal për të cilët ende nuk janë arritur marrëveshje formale mes palëve. Katër samite të Ballkanit të Hapur janë mbajtur deri më tani, gjatë periudhës raportuese.
Në tetor të vitit 2021, Maqedonia e Veriut, së bashku me partnerë të tjerë nga Ballkani Perëndimor, e mbështeti Axhendën e gjelbër për Ballkanin Perëndimor.
“Maqedonia e Veriut duhet të kontribuojë në zbatimin e suksesshëm të vizionit të përbashkët rajonal, duke vënë në qendër të aktiviteteve ekonomike zhvillimin e qëndrueshëm, efikasitetin e burimeve, mbrojtjen e natyrës dhe aksionin klimatik nëp qendër të aktiviteteve ekonomike”, porositet në Raport.
Po ashtu në të thuhet se në qershor të këtij viti, në Forumin e Prespës u mbajt konferenca e dytë për dialog për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor në arkitekturën moderne të sigurisë, në të cilën morën pjesë aktorët rajonalë. Qëllimi i forumit është promovimi i dialogut, bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore”, përfundon Raporti i KE-së në pjesën për marrëdhëniet e mira fqinjësore të vendit dhe bashkëpunimin rajonal.