Policia e Kosovës ka dhënë detaje për djegien e dy kamionëve në veri të vendit. Bazuar në komunikatën për media, policia ka bërë të ditur se mëngjesin e hershëm sot është raportuar se në lokacionin e quajtur “Shkëmbi i Dudës” në Mitrovicën veriore janë djegur dy kamionë, të cilët kanë qenë të vendosur në barrikadë.
Nga policia kanë deklaruar se përveç dëmeve materiale nuk raportohet për lëndime, deri sa rasti është duke u hetuar.
Nga policia thonë se ende nuk dihen shkaqet e djegies së këtyre kamionëve.
Ndryshe, në lidhje me barrikadat, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë të mërkurën se barrikadat do të fillojnë të hiqen mëngjesin e së enjtes.