Strugë,1 dhjetor – Pas ngritjes së shqetësimin në gazetën KOHA për rrugën e Drajsllajcës ka ardhur reagimi i Kompanisë “Makedonia Pat”, e cila ka sistemuar në të gjithë gjatësinë problematike këtë arterie problematike. Tashmë gropat dhe rruga janë sistemuar tërësisht, gjë që në masa ka lehtësuar trafikun për më shumë se 10 mijë banorë të kësaj ane të Strugës. Banorët e disa fshatrave të Strugës të ish Komunës së Dollogozhdit si dhe lokalitete e tjera të Malësisë së Strugës para disa javëve në gazetën KOHA u ankuan se për të ardhur në qytet duhet të kalojnë një rrugë tërësisht të shkatërruar, ku prej vitesh askush nuk kujtohet ta sanoj atë. Gropat në rrugë, sidomos në rrugën që kalon nga fshati Morovishtë deri fshatin Drasllajcë, thanë banorët e kësaj ane janë aq të shpeshta dhe të thella sa që është e pamundur shmangia prej tyre nga automjetet. Shoferët e këtyre fshatrave, të cilët për çdo ditë duhet të kalojnë në këtë rrugë ankohen se po u shkatërrohen makinat, ndërsa specifikojnë se si pasojë e kësaj rruge të shkatërruar kanë ndodhur edhe aksidente si dhe sherre ndërmjet shoferëve. Mevlur Lloga, i cili për arsye të punës së tij për çdo ditë udhëtonte në këtë aks rrugor, pohoi se kjo gjendje në këtë rrugë që lidh qytetin me më shumë se pesë mijë banorë të këtyre fshatrave, është lënë në mëshirën e fatit, sepse prej vitesh nuk është bërë një ndërhyrje renovuese. Ndërkohë, e njëjta situatë si pasojë e ndërtimit të rrjetit të kanalizimit paraqitet edhe në rrugën e Livadhisë. “Ne për këtë gjendje shkatërrimtare të rrugës nuk dimë edhe ku të drejtohemi, edhe pse është evidente që nga dita ë ditë makinat po shkatërrohen dhe komunikimi realizohet me vështirësi në këtë rrugë”, përfundon ai. Për këtë shqetësim të ngritur nga banorët e kësaj ane, gazeta KOHA kontaktoi me drejtorin e Ndërmarrjes së Rrugëve “Makedonia Pat”, Gajur Kadriu, i cili potencoi se është në dijeni të kësaj situate, duke potencuar se rehabilitimi i kësaj rruge është në planet e kësaj ndërmarrje. Sipas tij, ekipet e kësaj kompanie kanë realizuar ndërhyrje në shumë rrugë në territorin e Strugës, ndërsa për rrugën e Drasllajcës, kjo ndërhyrje, potencoi ai, do të ndodhi në momentin më të parë duke përmendur pranverën.