Shkup, 23 mars – Gjatë qëndrimit të tij në Kumanovë, zëvendëskryeministri i Qeverisë së RMV-së për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi, duke u përgjigjur pyetjeve të gazetarëve rreth respektimit të masave Qeveritare për ngrirjen e çmimeve nga ana e kompanive, të cilat kryesisht po sjellin rezultate pozitive, ai tha se nëse në terren ka kompani që i shkelin vendimet qeveritare, atëherë Inspektorati shtetëror i tregtisë do të ndërmarrë masa ndaj tyre.
“Vendimi për ngrirjen e çmimeve erdhi si pasojë e sjelljes së disa prodhuesve, por edhe tregtarëve. Ngrirja e çmimeve ka dy aspekte. Ka ngrirje të çmimeve me sasitë ekzistuese. Nëse ka informata për të cilat Ju po thoni se sasia e bukës, vëllimi i saj është më i vogël se sa është i parashikuar dhe shitet me çmimin e ngrirë, unë thërras Inspektoratin e tregut që të dalë në terren dhe një të tillë ta sanksionojë, sepse ajo nuk është në bazë të vendimit që Qeveria i ka sjellë. Gjatë sjelljes së vendimit të ngrirjes së çmimeve kemi pas për qëllim që të mbrojmë interesin e qytetarit, por gjithashtu edhe interesin e biznesit, që të mos dëmtohet biznesi në asnjë mënyrë. Unë garantoj se me ngrirjen e çmimeve nuk dëmtohet biznesi, sepse ka pjesën e fitimit, që cila është parashikuar me çmim, por në këtë moment mbrojtja e konsumatorit është imperativ i joni”, tha ndër të tjera Fatmir Bytyqi.
Këto komente zëvendëskryeministri Fatmir Bytyqi, i bëri gjatë vizitës që ia bëri Kompanisë për dizajnimin dhe prodhimin e mobiljeve “Mahagoni” në Kumanovë, punën e së cilës e vlerësoi lartë.
“Kjo kompani e jeton ëndrrën amerikane. Ka filluar nga një garazhë prej 25 metra katrorë, kurse tani ka një kapacitet prodhues prej mbi 3.000 metra katrorë. “Mahagoni” është kompani e orientuar drejt eksportit ku 70 për qind e produkteve të saj mund të gjenden në tregjet e huaja, si në Kroaci, Slloveni, Serbi, Gjermani dhe Kanada”, theksoi Fatmir Bytyqi.
Bytyqi gjithashtu tha se Qeveria e mbështet këtë kompani tashmë në ciklin e dytë investues të tyre me marrëveshjen e dytë, sipas të cilit investimi minimal kap shifrat prej 17 milionë denarë.