Sipas Bexhetit, këtë vit pritshmëria është që të vazhdojë trendi I regjistrimeve sikurse edhe viteve të kaluara dhe në bazë të projeksioneve pritet që regjistrohen rreth 1100 student. Ai tha se në 4 vitet e kaluara ka rritje permanente prej 7, 8 apo 11 për qind të numrit të studentëve që regjistrohen
Urim HASIPI
Tetovë, 5 maj – Në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë dje është mbajtur ditë e hapur, ku maturantët nga shkollat e mesme janë njohur me ofertën akademike dhe kushtet e studimit në këtë universitet. Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë Abdylmenaf Bexheti, nënvizoi se dita e hapur organizohet tradicionalisht pas shpalljes së konkursit për pranimin e studentëve në vitin akademik 2023/24. Me këtë rast maturantët janë njohur me kampusin universitar, laboratorët, infrastrukturën, konviktet dhe përparësitë nëse e zgjedhin këtë universitet për të studiuar.
“Krahas fakulteteve që i kemi, këtë vit kemi edhe dy programe të reja si refleks i tregut të punës, pra ofrojmë programin që sapo është akredituar i Politeknikut, që do të përfshijë studime tre vjeçare për profilime të kuadrove që i kërkon tregu i punës. Siç e dini, këto kuadro gjithnjë janë të kërkuara dhe në atë drejtim të interesuarit njihen me kushtet, bursat studimore, njihen me stafin akademik dhe me ofertën tonë”, tha rektori i Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë Abdylmenaf Bexheti.
Sipas tij, këtë vit pritshmëria është që të vazhdojë trendi I regjistrimeve sikurse edhe viteve të kaluara dhe në bazë të projeksioneve pritet që regjistrohen rreth 1100 student. Ai tha se në 4 vitet e kaluara ka rritje permanente prej 7, 8 apo 11 për qind të numrit të studentëve që regjistrohen. E veçantë është se kohëve të fundit ka rritje edhe të numrit të atyre që regjistrohen në programet studimore në gjuhën angleze. “Target i jonë është që së paku të pranohen 1100 në gjeneratën e ardhshme sepse po aq është edhe numri që e mbyllën vitin e kaluar përfshirë këtu edhe programet e reja studimore por unë jam gjithmonë shumë konservativ në projeksione, dhe këta projeksione i bëjmë në targetin minimal të mundshëm edhe ato pse tejkalohen 5 ose 6 për qind”, tha rektori Bexheti.
Nga ky universitet njoftuan se ka rritje edhe të studentëve që vijnë nga Azia Juglindore, lindja e mesme dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.“Sivjet e presim gjeneratën e tretë dhe pritet që të kemi rritje të numrit të të interesuarve. Ata tashmë kanë filluar të aplikojnë, presim minimum 70 student të rinj të gjeneratës së tretë dhe gjithsej do të arrijmë numrin prej 180 studentëve që vijnë nga Azia Jug Lindore por edhe nga Lindja e Mesme dhe nga SHBA-të. Këta studentë vijnë kryesisht me bursa amerikane dhe ata kanë një proces të marrjes së vizave të qëndrimit këtu”, sqaroi rektori i UEJL-së Abdylmenaf Bexheti.
Nga Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë janë shprehur të kënaqur me interesimin e maturantëve dhe shfaqën shpresë se edhe këtë vit akademik do të ketë numër të madh të atyre që do të përcaktohen të vijojnë studimet në këtë universitet. (koha.mk)