Seanca gjyqësore për lëndën e prokurorisë Speciale Publike lidhur me ngjarjet para Komunës Qendër në qershor të vitit 2013, që duhej të mbahej sot në Gjykatën Penale të Shkupit, është anuluar për më 28 shtator. Gjykatësja Tatjana Mihajllova e anuloi gjykimin për shkak se dokumentet e lëndës janë në Gjykatën e Apelit i cili vendos për ankesën e PSP-së për dënimet që u janë shqiptuar prokuroreve Katica Janeva dhe Fatime Fetai në njërën nga seancat paraprake.
Në këtë lëndë janë të akuzuar 14 persona, prej të cilëve pesë si nxitës, ndërsa të tjerët si kryerës të drejtpërdrejt të dhunës. Midis të akuzuarve janë edhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ish-ministri Mile Janakieski dhe deputetja aktuale në Kuvend dhe ish-këshilltare në Komunën Qendër Daniella Rangellova, të cilët sot erdhën në Gjykatë. Në seancën e sotme gjyqësore ishin të pranishëm edhe kryetari i Komunës Qendër Andrej zhernovski, si dhe këshilltarë komunal. Prokuroria Speciale Publike e ngriti këtë rast më 15 shtator të vitit të kaluar.