E martë, 25 Mars, 2025
13.8 C
Skopje

Ankthi te të rinjtë në rritje

Nga Ambasada e Parë e Fëmijëve “Megjashi”, janë shënuar një numër i madh raportimesh nga të rinjtë, të cilët raportojnë probleme të ndryshme, ndër të cilat më të shpeshtat janë shëndeti mendor dhe marrëdhëniet e prishura familjare. Është alarmante se në dy muaj kanë telefonuar dhjetë fëmijë dhe kanë thënë se po mendojnë për vetëvrasje

 

Shkup, 12 maj – Ankthi dhe depresioni tek të rinjtë në vend është në rritje, mungojnë kapacitetet, stafi pedagogjik dhe vullneti institucional për të investuar në edukimin e shërbimeve profesionale të ngarkuara për trajtimin e problemeve të adoleshentëve. Mendimet për vetëvrasje, për më tepër, janë një nga problemet më alarmante për të cilën ende pret bashkëpunimi ndërsektorial. Nga Ambasada e Parë e Fëmijëve “Megjashi”, janë shënuar një numër i madh raportimesh nga të rinjtë, të cilët raportojnë probleme të ndryshme, ndër të cilat më të shpeshtat janë shëndeti mendor dhe marrëdhëniet e prishura familjare. Është alarmante se në dy muaj kanë telefonuar dhjetë fëmijë dhe kanë thënë se po mendojnë për vetëvrasje.

Kryetari dhe themeluesi i Megjashit, Dragi Zmijanac, tha se këto raste janë shqetësuese dhe duhet të hartohet një protokoll se si do të reagohet ndaj këtyre rasteve. “Kjo na shqetësoi shumë, menjëherë ramë në kontakt me Dhomën e Psikologëve, për t’u përgatitur për të bërë një lloj protokolli që do të ndihmojë shërbimet profesionale dhe stafin arsimor, ku fëmijët qëndrojnë 200 ditë në vit, ose nga gjashtë deri në tetë orë në ditë, që të përgatitemi se si të reagojmë në raste të tilla, sepse të njëjtin problem e kanë edhe operatorët tanë SOS”, sqaron Zmijanac.

Nga ana tjetër, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale theksoi se në vend nuk ka ende një protokoll për trajtimin e shërbimeve profesionale me të rinjtë që ankohen për probleme të shëndetit mendor, ndërkohë që këto probleme shfaqen gjithnjë e më shumë në moshë të re.

“Si aspekt pozitiv, mund të veçojmë programin e përdorur nga institucionet e kujdesit për fëmijët e moshës parashkollore – kopshtet, në të cilin i gjithë stafi i kujdesit dhe arsimit të fëmijëve në vitin 2019 ka kryer trajnime për zbatimin e një programi për zhvillimin socio-emocional të fëmijëve, një program që ende është duke u shfrytëzuar”, thanë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.

Sfidë, siç shtojnë ata, është krijimi i ambienteve për përfshirjen sa më të madhe të fëmijëve në kopshte, duke qenë se përfshihen rreth 47 për qind e numrit total të fëmijëve nga tre deri në gjashtë vjeç.

Ndërkaq, Ministria e Arsimit tha se në periudhën e kaluar kanë forcuar shërbimet profesionale dhe për të ofruar mbështetje shtesë psikosociale kanë shtuar numrin e bashkëpunëtorëve profesional.

“Janë ofruar trajnime cilësore për optimizimin e kapaciteteve për t’i ndihmuar studentët në përballjen me stresin, ankthin dhe problemet tjera të shëndetit mendor, si dhe për t’i orientuar studentët në zhvillimin e mekanizmave të përballimit të shëndetshëm dhe ndërtimin e qëndrueshmërisë”, thanë nga MASH.

Ndërsa, sipas psikologes Ana Poprizova, të rinjtë janë më të shqetësuar nga aspektet e socializimit të tyre. “Sa të pranuar janë në shoqëri, si janë pozicionuar, cili është rrjeti i tyre i miqësisë, suksesi në shkollë, komunikimi mes bashkëmoshatarëve, me prindërit, me mësuesit. Këto janë pyetje që i shqetësojnë lidhur me atë se çfarë do të thotë të jesh një periudhë adoleshence dhe rinie. Natyrisht, në nivel individual shpesh pyeten se kush janë, cilat janë interesat e tyre profesionale për të ardhmen, frika personale, pyetje ekzistenciale, e tillë është periudha, e tillë është mosha dhe këto janë pyetje tipike me të cilat përballen të rinjtë”, sqaron ajo.

Ndër të tjera, ajo shtoi se se stigma për të kërkuar ndihmë nga psikologu apo psikiatri ende ekziston, megjithatë të rinjtë gjithnjë e më shumë po flasin për shëndetin mendor. (koha.mk)

 

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm