Koreja e Veriut ka pohuar të martën se ka kryer me sukses testin për lançimin e raketës së parë interkontinentale, një zhvillim i cili mund të ndryshojë pasqyrën e problemit më të madh bërthamor në botë, dhe nëse rezulton i vërtetë, do të paraqesë një përgënjeshtrim të deklaratës së mëhershme të presidentit amerikan Donald Trump i cili tha se “një test i tillë nuk do të ndodhë”. Akademia e Koresë së Veriut për Mbrojtje dhe Shkencë, tha se testi i “Hwasong 14”, paraqet hapin final drejt krijimit të një “shteti të fuqishëm bërthamor i cili mund të godasë kudo në botë”. Një shkencëtar amerikan i cili ka vëzhguar lartësinë dhe distancën e përshkuar, tha se testi i fundit paraqet testin më të sukseshshëm deri më tani të Koresë së Veriut, për të shtuar se raketa ka qenë mjaft e fuqishme për të mbërritur në Alaskë. Lançimi dërgon një paralajmërim politik në adresë të Uashingtonit dhe aleatëve të saj kryesorë aziatik, Seulit dhe Tokios, ndërkohë që u mundëson shkencëtarëve të Koresë së Veriut të përsosin programin e tyre bërthamor të raketave. Zyrtarët amerikanë, ata të Koresë së Jugut dhe Japonisë thonë se raketa ka fluturuar rreth 40 minuta duke përshkuar 2.500 kilometra, që është më lartë dhe më gjatë se secili test i mëparshëm i Koresë së Veriut. Distanca e përshkuar e raketës ka qenë 930 kilometra. Koreja e Veriut, tha se raketa fluturoi në një lartësi prej 2.802 kilometra përpara se të godiste një objektiv të caktuar në oqean rreth 933 kilometra larg vendi i nisjes. Njoftimi tha se raketa fluturoi për rreth 39 minuta me këndin më të lartë të mundshëm. Testi i fundit i raketës bërthamore mund të çojë në sanksione të reja ndërkombëtare, por Koreja e Veriut tashmë është një nga vendet më të sanksionuara në botë.