Shkup, 4 korrik – Një ditë pas kërkesës për legalizimin e martesave homoseksuale, deputeti i BDI-së, Branko Manojlloski, të martën edhe një herë doli dhe sqaroi se mbetet në qëndrimin paraprak, ndërsa sqaroi se propozimin nuk e ka bërë në emër të partisë. Ndërkaq, VMRO ka akuzuar LSDM-në dhe BDI-në se në mënyrë tinëzare po imponojnë legalizimin e martesave homoseksuale. Ai tha se nuk pendohet për deklaratën e dhënë dhe kërkoi falje nëse dikush është lënduar, megjithatë theksoi se homoseksualizmin nuk mund ta ndalim dhe duhet t’u jepen të drejta kësaj kategorie. “Kam jetuar në Amerikë për 50 vite, në një vend demokratik ku ka shumë gjëra të ndryshme nga Maqedonia. Unë mendoj dhe ndjej si amerikanët. Jemi mësuar të kemi homoseksualë atje, ata janë gjithkund: në politikë, në kishë, në rrugë, biznese… Në fakt, edhe në biznesin tim kam pasur shumë homoseksualë që kanë punuar për mua. Njerëz shumë të mirë, shumë inteligjentë, produktiv. Dje kur u shpreha e thash në emër timin, Branko Manoilloski dhe jo si pjesë e partisë së BDI-së. Ishte mendimi im personal andaj dhe kërkoj falje te pjesëtarët e BDI-së, VMRO-së, LSDM-së dhe gjithë juve nëse dikush është prekur nga kjo deklaratë. Por nuk duhet të prekeni. Homoseksualiteti ekziston në të gjitha popullatat dhe është duke ardhur te ne, ne këtë nuk mund ta ndalim. Kur thash që duhet tu lejohet martesa, nuk e thash tu lëndoj ndjenjat e juaja por thjeshtë sepse ata duhet të kenë të drejta. Ata jetojnë bashkë dhe ndërtojnë bashkë, por nëse njëri vdes, tjetri nuk ka të drejtë të ,merr pjesën që i takon si trashëgimtar sepse s’janë të martuar. Por heteroseksualët e kanë këtë të drejtë. Është çështje praktike dhe ekonomike. Ky është qëndrimi im dhe mbetet i tillë. Homoseksualët duhet të kenë të drejta të njëjta si unë dhe ti. Nuk kemi të drejtë aspak, të dalim kundër homoseksualëve”, tha Manojlovski në një konferencë për shtyp të cilën e mbajti në gjuhën angleze. Ndërkaq, të martën ka reaguar edhe VMRO-DPMNE e cila është kategorikisht kundër legalizimit të martesave të të njëjtës gjini. Partia e Gruevskit ka akuzuar partnerët e koalicionit LSDM-BDI se pa debat dhe pa argumente dhe në mënyrë tinëzare po imponojnë legalizimin e martesave homoseksuale. “Martesa është bashkësi vetëm mes burrit dhe gruas. Kështu ka qenë, dhe kështu duhet të mbetet. Maqedonisë nuk i duhen eksperimente me martesa të të njëjtës gjini ose bashkim të fëmijëve pa prindër nga ana e çifteve të të njëjtës gjini”, tha konferencë për shtyp deputetja e VMRO-së, Bllgagica Lasosvska. Ajo mes tjerash theksoi se qytetarët nuk votuan për martesa të të njëjtës gjini ose për hapjen e mundësisë që çiftet homoseksuale të birësojnë fëmijë. Laskosvska nënvizoi se këto ndryshime ligjore nuk i kanë në programet e tyre as LSDM e as BDI. (Z.V)