Fisnik PASHOLLI
Shkup, 7 shtator – Harxhimet e mëdha lidhur me fillimin e vitit të ri shkollor, përgatitjet e turshive si dhe furnizimi me dru për sezonin e ngrohjes, e bëjnë shtatorin muajin më të shtrenjtë të vitit, shkruan gazeta KOHA. Përllogaritjet tregojnë se harxhimet për çanta të reja të shkollës, pajisjet tjera shkollore si: fletore, lapsa, ngjyrat e drurit, materialet e tjera të punës, veshmbathja, përgatitja e turshive, blerja e drurit si dhe harxhimet e tjera, arrijnë afër 40 mijë denarë. Nëse llogarisim blerjen e 6-8 metra dru, që kushton së paku 20 mijë denarë, pastaj harxhimet për dy fëmijë në shkollë prej së paku 12 mijë denarë, ku llogaritet blerja e fletoreve të punës, blloqet, kolazhet, lapsat, gomat, ngjyrat e ndryshme, si dhe harxhimet për blerjen e atleteve, pantallonave, bluzave, xhaketave e kështu me radhë, del se nevojiten 32 mijë denarë për përgatitjen e dy nxënësve në shkollë dhe për ngrohje gjatë dimrit. Këtyre harxhimeve ju duhet shtuar edhe harxhimet për ushqimin në shkollë për fëmijët, që kushtojnë në mesatare deri në 1000 denarë në muaj për një familje. Gjithashtu, në koston e shtatorit bëjnë pjesë edhe më shumë harxhime të tjera shkollore që mund të kushtojnë në muaj prej 500 deri 1000 denarë.
KOHA E TURSHIVE DHE HARXHIMEVE
Nga ana tjetër, përllogaritjet tregojnë se në mesatare blihen 50 kilogram speca për të cilat nevojitet 1500 denarë, por nëse kësaj i shtohen edhe afër 300 denarë për domatet e zeza, pesë litra vaj për të cilat nevojitet 300 denarë, si dhe harxhimi i drurit apo rrymës prej disa qindra denarë, del se për përgatitjen e 28-30 kavanozave të ajvarit nevojiten së paku 2400 denarë. Harxhimeve të tilla mund t’i shtojmë edhe ato për përgatitjen e turshive prej specave, kastravecëve apo edhe të ndonjë reçeli, andaj mund të konstatohet se nevojiten edhe së paku 2000 denarë për ushqimet e ndryshme që konservohen për stinën e gjatë të dimrit.
Me fjalë të tjera, për të kapërcyer muajin e shtatorit në mesatare një familjeje i nevojiten së paku 38 mijë denarë, që është një herë e gjysmë më shumë se rroga mesatare në Maqedoni, gjegjësisht tre herë më shumë se 12 mijë denarë se sa fitojnë në muaj gjysma e të punësuarve në Maqedoni.
Analizat tregojnë se gjysma e të punësuarve në Maqedoni marrin paga që nuk arrijnë as 200 euro, ndërsa gjysma tjetër marrin paga prej 200 deri 400 euro. Sipas analizave të Institutit Fajnens Think, madje 43 për qind e të punësuarve në Maqedoni marrin paga më të vogla se 12 mijë denarë, vetëm 8 për qind marrin paga më të mëdha se 25 mijë denarë, ndërsa gjysma e të punësuarve marrin paga prej 12 deri 25 mijë denarë. Qytetarët thonë se ky është muaji më i shtrenjtë i vitit për shkak se më shumë harxhojnë se sa fitojmë. “Është mjaft e vështirë të kapërcehet çdo muaj përgjatë vitit, për shkak se të gjithë e dimë se si janë rrogat tek ne, andaj edhe vazhdimisht kemi një luftë për ekzistencë dhe për të kaluar muajin me më pak harxhime. Megjithatë, shtatori është edhe më i ngarkuar për buxhetin familjar për shkak se ka shumë harxhime për në shkollë. Edhe pse librat janë falas, megjithatë më parë blerja e pajisjeve shkollore ishte më e lirë se tani. Gjithashtu ka harxhime edhe për sigurimin e druve dhe përgatitjen e turshive për dimrit”, thotë Hidajeti nga Shkupi.
Xhepi i zbrazur i qytetarëve nga përgatitjet për në shkollë zbrazet edhe më tej me përgatitjet e turshive. Qytetarët thonë se tregu i gjelbër është i shtrenjtë, ndërsa shitësit thonë se kanë fitim të vogël dhe mezi mbulojnë harxhimet mujore. “Ia dal disi të paguaj llogaritë, të shkolloj fëmijët dhe të mbajë familjen, por me shumë mund dhe sakrifica si dhe me kursime të mëdha. Një kredi konsumatore e kam paguar, ndërsa tani po paguaj tjetrin, ndërsa vazhdimisht jam minus në kartelë”, thotë Artani nga Shkupi.
GATI 2.5 MILIARD EURO BORXHI I QYTETARËVE NË BANKA
Ekonomistët thonë se si rrjedhojë e rritjes së kostos së jetesës, që nuk përcillet nga rritja e pagave, kemi edhe trendin e rritjes së borxhit të qytetarëve ndaj bankave prej 1 miliardë e 964 milion euro në dhjetor të vitit 2015, në mbi 2 miliardë euro në vitin 2017. Sipas të dhënave të fundit të Bankës Popullore për muajin korrik, qytetarët kanë borxh në banka 2 miliardë e 230 milionë euro. Me fjalë të tjera, çdo qytetar i Maqedonisë ka në mesatare një borxh prej më shumë se 1000 euro në bankat komerciale. Kjo do të thotë se çdo qytetar ka borxh prej gati dy paga e gjysmë mesatare ndaj bankave. Nga ana tjetër, të dhënat tregojnë se në strukturën e kredive të amvisërive dominojnë kreditë konsumatore dhe borxhet për mbulimin e nevojave themelore rrjedhëse përmes kartelave kreditore, si rrjedhojë e rritjes së kostos së jetesës që nuk ndiqet nga rritja e pagave.
Qytetarët hyjnë në borxh që të kthejnë borxhet e vjetra, ose të paguajnë nevojat themelore të jetesës; si të konsumit të përditshëm, ashtu edhe pagesës së komunaleve pasi me të ardhurat e rregullta mujore nuk mund t’i mbulojnë nevojat themelore e jetesës për çdo muaj. Gjithashtu qytetarët e kanë më të lehtë që të fitojnë kredi konsumatore prej deri 5000 euro, për të cilat ju anulohen për çdo muaj një shumë e caktuar nga paga, thonë njohësit e çështjeve ekonomike. Ndryshe, qytetarët në Maqedoni mbijetojnë edhe të ndihmuar nga puna në të zezë, puna sezonale, dërgesat e të hollave nga familjarët që i kanë nga jashtë, ndihma nga pensionistët, puna dytësore në bujqësi etj.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.