Qëndrimet anti-negociatave, anti-serbe, anti-liberale, anti-gjithçkaje, dhe pro bllokimit me retorikë populliste, po e shndërron të gjithë Kosovën në një ‘Vetëvendosje të Madhe’, që me këtë populizëm mund të na çojë deri në anti- amerikanizëm. Atëherë, do të jetë vonë ta kuptoni, se të gjithë kemi gabuar rëndë.
Mjaftoi një bllokim nga Bashkimi Europian (BE), një mossukses diplomatik për Interpol, dhe si për inati një performancë e mirë e Presidentit Hashim Thaçi në Francë para dilplomacive botërore, që të çohet peshë e gjithë skena politike e Kosovës, pak nga hidhërimi, pak nga dështimi e pak edhe nga xhelozia dhe lënia në hije të tjerëve, duke u kthyer në fjalor të argumenteve populliste që Vetëvendosje i ka ngritur tash e 12 vjet.
A po bëhemi të gjithë patetikë në populizëm? A po bëhemi të gjithë patriota të rrjeteve sociale, që shfryhen, ose kënaqen për disa pëlqime, edhe nëse e ‘dhijnë punën’ bashkë me ‘likes’, që pati thënë një herë një ambasadore amerikane në Prishtinë?
A duhet tash t’ia kapim dorën dikujt si asaj dhe t’ia skuqim se s’po na pëlqen qëndrimi i diplomacive botërore? Të bllokojmë se s’po na pëlqen neve si kosovarë trajtimi për liberalizim vizash edhe pse i kemi plotësuar 95 përqind të kritereve? Pse s’po na dojnë ne kosovarëve ta luftojmë krimin në Interpol bashkë me ‘botën e civilizuar’?
Dhe tash, prej nervoze, po marrim masa që ta bllokojmë Serbinë, me masa anti-liberale, duke e vënë Kosovën të pa mbrojtur dhe pa municion në fushë të hapur për t’i pritur goditjet e artilerisë diplomatike nga miqtë më të mëdhenj të Kosovës, si Shtetet e Bashkuara (SHBA), BE dhe vendet anëtare të NATO’s. Këtë nuk e meritoi populli, edhe pse ndoshta politika e meriton edhe më zi.
Të gjithë Vetëvendosje në retorikë dhe sjellje
Qëndrimet anti-negociatave, anti-serbe, anti-Thaçit dhe anti-liberale, dhe pro bllokimit me retorikë populliste, po e shndërron të gjithë Kosovën në një ‘Vetëvendosje të Madhe’, që me këtë populizëm mund të na çojë deri në anti- amerikanizëm, dogmatizëm dhe rrezik për të gjithë vendin. Atëherë, do të jetë vonë ta kuptoni, se të gjithë kemi gabuar rëndë.
A po shndërrohen të gjitha partitë e koalicionit qeveritar në Vetëvendosje, që edhe njihen se janë eksperta, që me dëmet e tyre t’i japin munuicione kundërshtarit? Ashtu sikur sot po i jepet municion Serbisë, për të na goditur në kohën kur më së paku na duhet, në këtë katrahurë të ripozicionimit diplomatik të Britanisë, BE’së, Rusisë dhe SHBA’ve në Evropë e posaçërisht në botë.
Apo i jepin municion pikërisht Hashim Thaçit, të duket më i arsyeshmi, që 12 vite të cilin e shanë Vetëvendosja dhe e quan e keqja e Kosovës, dhe vetë sjellja e saj me molotova dhe gaz lotësjellës, nuk arriti ta rrëzojë ‘armikun e tyre imagjinar’ por e sjelli në vend të Albin Kurtit, një kryeministër nga radhët e tyre të lotësjellësit e molotovit, Komandantin Ramush Haradinaj?
Ka shumë arsye të shahet Presidenti Hashim Thaçi, nga ato që e shanë edhe opozita, mediat dhe vetë Lëvizja Vetëvendosje. Kanë shumë të drejtë për gjendjen në arsim më së shumti. Pak a shumë edhe për shëndetësi, politikat ekonomike dhe ndërskamcat politike. Por jo, për përfaqësimin e Kosovës, në Paris dhe SHBA, si dhe taktizimet për negociata për zgjidhjen e çështjes përfundimtare të Kosovës me Serbinë.
Fundja retorika anti-Thaçi shihet se s’ka pasur ndonjë sukses, pasi që ka rezultuar se e ka mbajtur në pushtet ‘gjarprin’ për 10 vjet. E duket se edhe për do të tjera si President i Kosovës.
Pra, edhe nëse nuk pajtohen atëherë pse nuk e shkarkojnë Presidentin, të gjitha këto parti kosovare, që fjalorin e Vetëvendosjes e kanë në gojë sot?
Por, jo.
Nuk e shkarkojnë, sepse nuk e kanë përnjëmend, si Lëvizja Vetëvendosje nuk e kishte nga fillimi. Eshtë demagogji dhe retorike për popullizëm të rrjeteve sociale për ‘like’ e vota.
Të gjitha partitë e dinë edhe pse nuk e thonë, se BE, SHBA veç e kanë zgjedhur Negociatorin për Kosovën, ende pa e liçencësuar partitë e Parlamentit të Kosovës. Edhe këto parti, s’e kanë përnjëmend ta shkarkojnë. Edhe këto parti si Vetëvendosja, e kanë për konsum elektoral dhe se vetëm po dëshirojnë të jenë pjesë e këtij dialogu. Pse mos do të ndryshonte diçka?
Apo ndoshta dikush mendon se nëse do të merrte pjesë në negociata edhe Fatmir Limaj, Albin Kurti, apo Xhelal Sveçla, do të ndryshonte politika e botës dhe e Serbisë?
Por një gjë është e qartë, që nëse partitë e koalicionit, dhe shefat e tyre do të vazhdojnë me këtë retorikë të Vetëvendosjes, atëherë pse në zgjedhjet e vitit të ardhshëm duhet të votohet për ta, e jo për origjinalin? Për Albin Kurtin, për Liburn Aliun dhe Për Glauk Konjufcën. Ndoshta edhe Tinka Kurtin sepse edhe ajo goxha ka kontribuar në shpërndarjen e kësaj retorike.
Bllokimi diplomatik është mesazh për Kosovën
Dështimet në Interpol, mungesa e unitetit te vendet të Bashkimit Evropian (BE) për dhënien e liberalizimit të vizave për Kosovën, edhe pse janë plotësuar 95 përqind e kritereve, po ashtu duket se janë mesazh, për Prishtinën zyrtare që energjinë ta koncentrojnë në zgjedhjen finale të problemit me Serbinë, ku duhet të arrihet një marrëveshje ligjerisht e obligueshme midis Kosovës dhe Serbisë, që po quhet nga diplomatët në Bruksel dhe Washington, e që poashtu po mbështetet fuqishëm nga sponsorët e Pavarësisë dhe NATO.
Prej vitit 2015 e deri sot po shihet qartë se ngjarjet e fundit në diplomacinë botërore, poashtu japin edhe një mesazh për Prishtinën; se lobimet, 1 me 1 shtet, nuk janë më efikase sikur dikur, dhe në këtë fazë ku po përjetohet çdo ditë se ka disbalancim dhe rireshtim të diplomacive të botës.
Po shihet se Kosova po humb kohë dhe vite, duke i shkuar për rreth problemit të vërtetë që është Serbia dhe njohja e Shtetit të Kosovës nga Serbia. Kjo do t’i zgjidhte problemet me njohje nga vendet e BE’së, e më gjërë dhe proceset e integrimit dhe ndërkombëtarizimit të Kosovës.
Për Fund
Logjika anti-negociatave, anti-serbe dhe anti-liberale, dhe pro bllokimit me retorikë populliste, mund të na çojë deri në anti-amerikanizëm. Sikur në vitin 2007 me ngjarjet e 10 shkurtit ku këto politika dhe rrjedhat e ndikimeve të fuqishme të politikave ndërkombëtare lanë edhe viktima në qendër të Prishtinës, dhe nuk shkoi gjatë, kur u kuptua se Pavarsia e Kosovës erdhi vetëm 1 vit pas këtyre ngjarjeve dhe askush nuk dha përgjegjësi për ta. As ata që shtënë mbi protestuesit atëkohë Anti-Pavarësisë Ahtisari, as nga ata që i nxitën në protesta të dhunshme.
Edhe tash, një njohje pritet të vjen nga Serbia, që do ta mbyllë përfundimisht çështjen e njohjeve tjera në Europë dhe Botë. Shkuan 10 vite pas lirisë dhe u pavarësuam, u duhet të shkojnë edhe 10 vite pas Pavarësisë që të njihet përfudimisht shteti më i ri në botë. Dhe kjo do të ndodhë, si ato të tjerat, me ose pa nevojën që të gjithë të bëhemi një ‘Vetëvendosje e Madhe’.
Ashtu siç kam shkruar më 2007, po e shkruaj edhe sot me 2018: Kosova është më e madhe se një feud, parti a familje patriotike kosovare; bota është edhe më e madhe.
Pajtoheni sigurisht, se nuk kemi nevojë të krijojmë armiq të rinj. Veçse kemi mjaftueshëm…