Ish-Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, duke folur për procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, u ka bërë thirrje të dyja vendeve që të gjejnë një zgjidhje për të ardhmen e njerëzve të tyre.
Këto komente, Abazoviç i bëri në një intervistë për “EuronewsAlbania”, ku foli edhe qasjen e qeverisë së Milojko Spajiç-it në raport me Kosovën.
“I kemi humbur 20 vite, nuk mund të presim edhe 20 të tjera, por duhet të jemi konkretë. Unë e mbështes gjetjen e marrëveshjes përfundimtare mes Serbisë dhe Kosovës dhe i ftoj të dyja palët, qeveritë, udhëheqësit të ulen së bashku dhe të gjejnë zgjidhjen për të ardhmen e atyre njerëzve që jetën e tyre e shohin në rajon”, tha Abazoviç.
Duke folur për votën kundër të deputetes malazeze Maja Vukiçeviç, për raportin e raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis, për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, ka theksuar se gjatë kohës sa ai ishte kryeministër i Malit të Zi, “ne e mbështetëm tërësisht Kosovën”.
“Por ky është realiteti i ri. Kjo ndodh sepse mazhoranca është krijuar me parti që nuk ndajnë të njëjtin vizion, programe dhe vlera. Ata mendojnë se kjo mund të funksionojë, unë them të kundërtën”, shton.