Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka shprehur “shqetësim e zhgënjim të thellë” dhe “mospajtimin dhe indinjatën” lidhur me vendimin e jurisë së çmimit Nobel në letërsi, i cili për këtë vit iu rezervua shkrimtarit austriak Peter Handke. ASHSH e cila prej shumë vitesh ka propozuar dhe ngulmuar që ky çmim ti jepet shkrimtarit të njohur shqiptar Ismail Kadare, ka reaguar. Sipas saj “…kandidati i laureuar e implikon rëndë këtë parimësi, duke e paraqitur jurinë e këtij çmimi dinjitoz në standarde të dyfishta dhe shpërfillëse ndaj dukurive më të refuzuara europiane, si gjuha e urrejtjes, përkrahja e krimeve kolektive, mbështetja publike e urrejtjes kombëtare, gjuhësore, fetare, racore, gjinore e kulturore, me shkelje të dukshme të Kodit të Etikës”.
“E njëjta Akademi që akordon vit për vit çmimin Nobel të Paqes nuk mund t’i lejojë vetes të inkurajojë me Nobelin e Letërsisë urrejtjen dhe konfliktin” vlerëson Akademia e Shkencave e Shqipërisë.
Duke nënvizuar se nuk gjykon vlerën e veprës letrare të fituesit të Nobelit të 2019, ASHSH shprehet se “Ne na dëshpëron braktisja e parimësisë në gjykim nga juria e këtij çmimi, duke mbyllur sytë para inkurajimit të hapur që ai i ofroi makinerisë së urrejtjes etnike ndaj shqiptarëve të frymëzuar prej një njeriu të dënuar për krime të rënda kundër Njerëzimit nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës”.
Duke ju referuar edhe çmimeve të mëparshme Nobel në letërsi, ASHSH vlerëson se “…nuk ka ndodhur ndonjëherë që frymëzuesit e ideologjisë primitive të urrejtjes dhe armiqësisë etnike të laureohen duke ua amnistuar përgjegjësitë e tyre të mirënjohura si famëkeqe prej kohësh botërisht”. “Sa më sipër, Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë paraqet mospajtimin dhe indinjatën e saj, pasi në vlerësimin tonë ky është një akt i rëndë i dhunimit të vlerave njerëzore” përfundon reagimi.