Një studiuese në Universitetin e Oxford-it tha se universiteti duhet të krijojë transparencë të plotë për investimet në çdo kompani armësh, përfshirë kompanitë e tregtimit apo prokurimit të armëve si dhe të heqë dorë nga lidhjet financiare me korporatat bashkëpunëtore në luftën e Izraelit në Rripin e Gazës, raporton Anadolu.
Teksa vala e protestave dhe kampeve pro-palestineze përhapet nëpër kampuset në të gjithë botën, shumë akademikë kanë ngritur zërin për të kërkuar që universitetet e tyre të heqin dorë dhe të ndërpresin lidhjet me Izraelin.
Në Oxford, ku studentët kanë ngritur një kamp për më shumë se një javë tashmë, rreth 500 anëtarë të fakultetit dhe stafit kanë shprehur mbështetjen e tyre për protestuesit dhe kanë kërkuar që universiteti të heqë dorë nga “gjenocidi” i Izraelit në Gaza.
Rowan, një studiuese në universitet që donte të përdorte emrin e saj të parë, tha se fakulteti dhe stafi i kanë paraqitur një letër administratës duke përshkruar kërkesat e tyre. Këto kërkesa janë të ndara nga ato që kërkojnë studentët, sqaroi ajo, por shtoi se akademikët i mbështesin plotësisht studentët.
“Për sa i përket kërkesave, ne të gjithë kolektivisht, staf dhe studentë, duam ta riformësojmë këtë universitet për të mirë për të krijuar një universitet për të cilin mund të jemi krenarë për qëndrimin e tij etik në lidhje me brutalitetin që po ndodh tani në Gaza”, tha për Anadolu, Rowan, një nënshkruese e letrës.
Ajo shtoi se universiteti jo vetëm që duhet të largohet nga kompanitë që janë bashkëpunëtorë në luftën në Gaza, por gjithashtu të zbulojë burimin e financimit dhe investimeve.
“Kryesorja ndër kërkesat është që universiteti të heqë dorë nga lidhjet financiare me korporatat bashkëpunëtore në makinerinë izraelite të luftës”, tha Rowan. Ajo shtoi se informacioni aktual në lidhje me investimet e bëra nga Oxford University Endowment Management është “mjaft i errët”.
“Ne i bëjmë thirrje Oxford-it të publikojë, të zbulojë dhe të krijojë transparencë të plotë në lidhje me investimet në çdo korporatë armësh, tregtare apo prokuruese, dhe të rishikojë ato investime joetike pasi t’i zbulojë ato”, tha ajo.
– “Të qëndrosh në anën e drejtësisë dhe për një botë më të mirë”
Rowan tha se ata po bëjnë gjithashtu presion për një bojkot të universiteteve izraelite “përderisa aparteidi dhe gjenocidi” vazhdon në Gaza, ku Izraeli ka vrarë më shumë se 35 mijë palestinezë dhe ka plagosur rreth 80 mijë të tjerë që nga tetori i kaluar.
Miliona të tjerë janë zhvendosur në Gaza, duke u përballur me mungesë të madhe ushqimi, ndihmës mjekësore dhe gjëra të tjera thelbësore.
Izraeli, i cili po përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për sulmin e tij ndaj Gazës, ka shkatërruar gjithashtu pjesë të mëdha të enklavës së rrethuar, duke shkatërruar gjithçka, nga banesat tek objektet mjekësore, institutet arsimore dhe të gjitha llojet e infrastrukturës civile.
Sipas Rowan, rindërtimi i infrastrukturës arsimore është një nga kërkesat e paraqitura nga akademikët e Oxford-it. “Ne duam që universiteti të përdorë fuqinë, prestigjin dhe pasurinë e tij të pamasë për të ndihmuar në rindërtimin e arsimit në Gaza, ku deri tani nuk ka asnjë universitet funksional”, tha ajo.
Në valën globale të protestave pro-palestineze në kampuse, ajo tha se studentët dhe akademikët e Oxford-it janë “absolutisht në solidaritet me kampet nga New Yorku në Paris dhe më gjerë”.
“Ne gjithashtu marrim frymëzim nga ato kampe dhe nga edukimi që kemi parë të shpaloset në ato hapësira. Pra, mendoj se është një marrëdhënie solidariteti”, shtoi ajo.
Lidhur me përgjigjen e administratës së Oxford-it, ajo tha se deri më tani kanë qenë mbështetës të protestave paqësore, siç është kampimi i drejtuar nga studentët.
Në një pyetje në lidhje me pasojat e mundshme për protestuesit në karrierën e tyre, Rowan tha se ata shpresojnë që “askush që merr pjesë në këtë kampim, nuk do t’i dëmtohet e ardhmja sepse ata qëndronin në anën e duhur të historisë”.
“Fatkeqësisht, ne e dimë se kjo ka ndodhur në institucione, që akademikët janë pushuar nga puna për shprehjen e solidaritetit me Palestinën ose janë vënë nën procedura pezullimi. Shpresa ime është që bota do të kuptojë se kushdo që e bën këtë, është në anën e drejtësisë dhe për një botë më të mirë”, tha ajo.(AA)