Qefser ABDYLI
Shkup, 2 mars – Dy vajza të paralizuara qëndrojnë në mes të dhomës. Njëra 26 vjeçare dhe tjetra 11 vjeçare. Dhomës i vjen aromë e pakëndshme, pasi të dy vajzat janë të palëvizshme për të kryer nevojat fiziologjike, shkruan gazeta KOHA. Kjo është pamja e rëndë në të cilën jeton familja Jakupi, në një banesë në Tophanë të Shkupit.
Dy vajzat vuajnë nga paraliza dhe janë të dëmtuara në trurin e madh, duke qenë të palëvizshme. Xhemile Jakupi, nëna e dy vajzave, tregon për kushtet e vështira në të cilat jeton ajo me burrin dhe vajzat. “Për mua më rëndë nuk ka, janë të paralizuara të dyja dhe gjithashtu të dëmtuara rëndë në tru të madh. Për ato kërkohet shumë, sepse kanë ilaçe speciale, para nuk kam mjaftueshëm të holla për ti blerë ato ilaçe. Këto edhe nuk hanë siç hamë ne, duhet t’i ushqej me biskota të përziera me qumësht, sepse kanë edhe problem me tretjen e ushqimit. Vajzat i kam me pelena dhe po duhet në çdo moment t’ua ndërroj dhe për këto po duhen para dhe çdo ditë duhet t’i blejë ”, tregon për KOHA, nëna Xhemile Jakupi. Burri i saj punon punë krahu nëpër tregje për të siguruar ndonjë denarë sa për të siguruar kafshatën e gojës.
Zonja Xhemile thotë se sëmundja e dy vajzave është e pashërueshme, kurse nga mjekët u është sugjeruar vetëm konsumimi i ilaçeve. Ajo më tej thekson se deri tani askush nuk ju ka dalë në ndihmë, përveç shoqatës humanitare “Ilirida”, ku siç thekson zonja Jakupi, atëherë kur kishin nevojë më shumë ato ju dolën përballë. “Shoqata ‘Ilirida’ na ka ndihmuar për gjithçka, si për veshmbathje, ushqim, ashtu edhe me të holla të cilat i kanë mbledhur. Ne nuk kemi të ardhura prej askund, burri im çka punon në pazar, por nuk dalin ato para as për ilaçet e vajzave. Jemi shumë keq, sepse para nuk kemi, për të dalë të punoj unë nuk mundem, sepse vajzat nuk mund t’i lë vetëm. Ato pak nëse rrinë vetëm, duke u mundur me lëviz vetëm se lëndohen më shumë”, thotë me lot në sy zonja Jakupi.
Ajo apelon tek të gjithë ata që e shohin të arsyeshme të ndihmojnë me të holla, pasi vështirë sigurojnë paratë për ilaçet dhe ushqimin e vajzave. “Apeloj të na ndihmojnë të gjithë ata që kanë mundësi me të holla që sado pak t’i blejmë ilaçet, ushqimin dhe për pelena, sepse me të vërtetë e kemi gjendjen shumë keq”, shprehet zonja Xhemile Jakupi, nëna e dy vajzave të palëvizshme nga paraliza. Prindërit janë mësuar me aromën kundërmuese në dhomat në të cilën e kalojnë përditshmërinë, por që shpresojnë për një të ardhme më të mirë për ta dhe dy vajzat e tyre të sëmura.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.